Një shtetas shqiptar nga Kosova është vënë në pranga në Kolumbi, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të rënda.
Arian Lluka u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar El Dorado, pasi rezultonte i kërkuar nga autoritetet kosovare për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Lajmi u konfirmua nga ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Pedro Arnuflo Sanchez.
Sipas autoriteteve, Lluka dyshohet si autor i vrasjes së Fidan Shabit në vitin 2012 në Pejë, çështje për të cilën ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes Interpolit.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2023-2026, ai kishte lëvizur në disa shtete duke përdorur identitete të rreme, përfshirë dokumente legjitime me një identitet alternativ serb, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe ndjekjes nga drejtësia.
Ministri kolumbian theksoi se ky operacion është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar dhe dëshmon kapacitetin e institucioneve të vendit për të përballuar kërcënimet globale dhe për të garantuar sigurinë.






