58-vjeçari, sipërmarrës ndërtimi
“Kam borxhe, ndaj hyra në bankë se më duheshin lekët”. Kështu ka deklaruar 58-vjeçari Bardhyl Fusha, i cili tentoi të grabiste një filial banke në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, Fusha, i cili rezulton sipërmarrës në fushën e ndërtimit, hyri në ambientet e filialit të FiBank rreth orës 11:15 me qëllim grabitjen. Ai mbante me vete një çantë sportive, brenda së cilës kishte fshehur një kallashnikov.
Menjëherë pasi hyri në bankë, 58-vjeçari qëlloi me armë zjarri në dysheme për të frikësuar punonjësit dhe klientët. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati persona të lënduar. Pas kësaj, ai iu drejtua sportelit dhe arriti të marrë rreth 20 milionë lekë të vjetra.
Megjithatë, tentativa për t’u larguar me paratë dështoi. Autori u neutralizua pranë derës së sigurisë së bankës dhe u arrestua pak minuta më vonë nga shërbimet e Policisë, të cilat ndërhynë menjëherë pas njoftimit.
Policia bëri të mundur shoqërimin e tij në komisariat, ndërsa arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi paraprak i policisë
Sipas policisë, rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi me iniciale B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke me qëllim vjedhjen, duke qëlluar me armë zjarri në dysheme. Nga të shtënat nuk pati persona të dëmtuar.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë dhe arritën të kapin autorin e dyshuar në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ai është shoqëruar në komisariat, ndërsa arma e zjarrit është sekuestruar.
Policia njofton se në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen.






