Sulmet ndaj Publik Medias dhe kërcënimi me jetë ndaj drejtorit Naim Noka nga bosi i call-center-ave kriminalë, Granit Pepnika, u përshkallëzuan sot me sulme kibernetike.
Pas disa orësh pune, stafi ynë arriti të rikthejë online web-in. Sulmi filloi pas një shkrimi për bashkëpunëtorin e bandave që mban ende post në polici, Neritan Nallbati, miku i Gys Agasit dhe ortak i ngushtë i Granit Pepnikës së ‘call-center’-eve në Shqipëri.
Mediat dhe portalet e Tiranës thuajse i fshinë në kohë reale, kundrejt parave të pista të llumit të call-center-ave, lajmet për Granit Pepnikën.
Prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto, që drejtoi operacionin e goditjes së tre call-center-ave të Pepnikës, duket se ka frikë të bashkojë kallëzimin për kërcënimin me jetë të gazetarit Naim Noka për shkak të detyrës.
Shoku i Granit Pepnikës, drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Neritan Nallbati, po tregohet besnik dhe një ndër mbrojtësit e flaktë të call-center-ave mashtruese.
Ergys Agasi dhe Suel Çela duket se po rezistojnë deri në fund, duke sfiduar hapur, ditën për diell, policinë dhe prokurorinë.
Edhe pse SPAK ka prova nga dosja SKY-ECC, ai dyshohet për suport ndaj krimit nga nivelet e larta deri në terren.
Goditja e rrjeteve të call-center-ave në Tiranë, që vjedhin mbi 50 milionë euro në muaj nga qytetarët europianë, është minuar nga brenda strukturave. Pas ardhjes së Ilir Prodës, kontrolli i këtij aktiviteti kaloi te Agasi dhe Nallbati, me mbrojtje në këmbim të pagesave.
Në qendër qëndronin bosët që siguronin numra dhe infrastrukturë, si Granit Pepnika, i cili bashkë me Agasin dhe mbështetjen në polici vodhën miliona euro qytetarëve europianë me anë të mashtrimit.
Shumica e operatorëve kriminalë kishin mbrojtje direkte nga këto struktura.
Nallbati, me një karrierë të gjatë në polici dhe pozicione kyçe drejtuese, është akuzuar për lidhje me grupe kriminale dhe përfshirje në trafiqe. I përjashtuar në vitin 2003, ai u rikthye dhe avancoi më tej, ndërsa pasuria e tij zyrtare dhe e dyshuar ngre pikëpyetje serioze. Ai rezulton gjithashtu nën hetim nga SPAK, me kontakte të dokumentuara me figura të krimit të organizuar.
Raportet flasin për dështime të qëllimshme të operacioneve policore dhe lidhje me trafiqe në disa qytete. Dyshohet edhe për përfshirje në përgjime të DEA-s lidhur me një grup trafiku në Fier.
Në këtë panoramë, Ergys Agasi dhe Granit Pepnika dalin si hallka operacionale të skemës së call-center-ave, ndërsa kërcënimi i drejtpërdrejtë ndaj drejtorit të Publik Media pas publikimit të investigimit e bën konkrete linjën e presionit. Investigimi i shtatorit 2025 u ripublikua me foto dhe link nga Publik.al, çka solli reagim të menjëhershëm dhe kërcënim, ndërsa lajmi u fshi nga portali i Ora News.
Më ironik është fakti se struktura operacionale e policisë dyshohet e kapur, ndërsa reagimi institucional erdhi vetëm pas presionit të partnerëve ndërkombëtarë. Sipas redaksisë së Publik Media, fitimet e këtij aktiviteti janë investuar masivisht në ndërtim, duke krijuar rrezik sistemik për ekonominë dhe lejet e ndërtimit në Tiranë dhe Jug. Vetëm një ndërtues dyshohet se ka përfituar 25 milionë euro nga ky burim. Ja pse Policia e Shtetit ka qenë në shërbim të krimit dhe duket se po has vështirësi në luftën ndaj krimit dhe bandave. Bizneset e Granit Pepnikës në Angli dhe Shqipëri, si dhe pastrimi i miliona eurove në ndërtim, po investigohen nga gazetarët e Publik Media.
Në ditët në vijim, ne do t’i drejtohemi me një memo kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Punëve të Brendshme, Kryeprokurorit dhe të gjitha ambasadave në vendin tonë, KE-së dhe Departamentit të Shtetit për rrezikun që i kanoset medias sonë nga bashkëpunimi i segmenteve të Policisë së Shtetit me bandat dhe llumin e call-center-ave.
Sado sulme kibernetike dhe kërcënime për jetën, misioni ynë vazhdon. Nuk do të mundin milionat e llumit që kanë blerë thuajse të gjitha mediat të na bëjnë pis edhe ne llumi i krimit dhe bandave.














