Një operacion i strukturave speciale të Policisë së Shtetit ka çuar në prangosjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar më herët nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike.

Aksioni, i koduar “Operacionalja 88”, u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të goditjes së personave në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i hetimeve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, në Tiranë u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Bledar Mansaku, 50 vjeç.

Sipas autoriteteve, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit në Firence e kishte dënuar në vitin 2024 me 7 vite burg, për përfshirje në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të narkotikëve, sipas legjislacionit penal italian.

Pas ndalimit, ndaj tij është vendosur masa e arrestit provizor, me qëllim nisjen e procedurave për ekstradimin drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia e atjeshme.