Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi me rezultatin e pastër 3-0 në Haifa ndaj Izraelit ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”. Dy herë Sadiku dhe në fund Memushaj vulosën suksesin e skuadrës së De Biasit, e cila hakmerret ndaj izraelitëve për humbjen po me shifrat 3-0 në “Elbasan Arena”.

Në minutën e 22-të vjen goli i parë. Kuqezinjtë përfitojnë nga gabimi i vendësve, Sadiku merr topin dhe nga jashtë zone godet saktë me të djathtën, duke kaluar Shqipërinë në avantazh.

Sërish Sadiku bëhet protagonist. Nga distanca shkarkon të djathtën dhe i jep avantazhin e dyfishtë kuqezinjve. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për të besuarit e De Biasit, ndërsa e dyta nis më mirë për izraelitët.

Rasti më i mirë do të jetë në të 55’. Sahar tenton me një goditje brenda zonës, por topi devijohet nga Mavraj, përplaset në shtyllë dhe shkon në goditje këndi.

Në një kundërsulm të shpejtë Shqipëria shënon dhe golin e tretë. Memushaj merr një top në zonë dhe nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetën e izraelitëve, 3-0. Deri në fund Shqipëria ruan avantazhin, duke marrë tri pikët në transfertën e vështirë të Izraelit.