Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka komentuar për herë të parë çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën shumica parlamentare nuk lejoi heqjen e imunitetit.
E pyetur mbi zhvillimet e fundit, përfshirë hetimet e SPAK dhe rastet që përfshijnë ish-zyrtarë të lartë, Kos deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të reformës në drejtësi.
“Shqipëria ka bërë një punë ekselente dhe është në rrugën e duhur sa i përket reformës në drejtësi. SPAK po bën një punë shumë të mirë dhe është normale që të ketë raste të tilla në këtë fazë”, u shpreh ajo.
Kos theksoi se institucionet e Bashkimit Europian po ndjekin nga afër situatën, përfshirë edhe çështjet konkrete nën hetim, duke nënvizuar se rëndësi ka reagimi i autoriteteve ndaj tyre.
Sipas saj, sfida kryesore për vendet kandidate nuk lidhet vetëm me ndërtimin e një kuadri ligjor të fortë kundër korrupsionit, por edhe me ndryshimin e perceptimit shoqëror.
“Mund të kesh legjislacionin më të mirë kundër korrupsionit, por nëse ai pranohet nga shoqëria, atëherë kemi një problem tjetër”, theksoi Komisionerja për Zgjerim.






