Konferenca e sivjetshme e Sigurisë në Mynih mblodhi në një sallë liderët më të rëndësishëm të Europës dhe botës. Në rreshtin e parë u ulën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç. Ky i fundit ishte edhe protagonist në diskutimin me kancelarin gjerman Friedrich Merz mbi perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkan.

Në një auditor ku prania është mesazh politik, mungesa është po aq e zhurmshme. Kryeministri shqiptar nuk ishte aty.

Nga mazhoranca morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla. Por në një forum ku i ftuar ishte edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ku siguria, drejtësia dhe integrimi europian janë në qendër të axhendës globale, mungesa e kreut të qeverisë shqiptare ngre pikëpyetje.

Neglizhencë apo zgjedhje e vetëdijshme?

Sipas burimeve diplomatike, përgatitjet për pjesëmarrjen e tij ishin bërë. Por në të njëjtën ditë kur liderët e rajonit u ulën në Mynih, ambasadori gjerman në Tiranë zhvilloi një takim me kreun e SPAK, Klodian Braho.

Mesazhi i publikuar nga ambasada ishte i drejtpërdrejtë: sundimi i ligjit është kusht thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe Gjermania do të vazhdojë të angazhohet për të ruajtur progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky sinjal vjen në një moment delikat, kur qeveria ka shpallur synimin për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale. Nëse kjo lexohet si përpjekje për të zbutur apo frenuar ritmin e hetimeve, reagimi nga Berlini duket se është paraprak dhe paralajmërues: drejtësia është vijë e kuqe.

Në sfond, hetimet e SPAK që prekin figura të rëndësishme pranë kryeministrit, përfshirë edhe emra të rrethit të tij më të ngushtë, e bëjnë këtë mungesë më shumë politike sesa protokollare.

Diplomacia flet edhe me heshtje. Në Mynih u fol për sigurinë globale, për Ukrainën, për zgjerimin e BE-së dhe për sfidat e brendshme të demokracive. Shqipëria ishte aty me përfaqësues, por jo me kryeministrin e saj.

Ndonjëherë, ajo që nuk ndodh është po aq domethënëse sa ajo që ndodh. Dhe në politikë, koha rrallëherë është rastësi.

Mund të gjesh pak kohë të vizitosh bashkinë e Gys Agasit në Durrës….