Zgjidhja për ‘Kryqëzimin e Vdekjes’ vetëm 250 metra larg, por prej 20 vitesh në pritje

“Kryqëzimi i Vdekjes” në zonën e njohur si “Pushimi i Shoferit” vijon të mbetet një nga pikat më problematike në rrugët kombëtare, ku prej vitesh regjistrohen aksidente me pasoja të rënda.

Denoncimi është bërë nga deputeti Saimir Korreshi, i cili thekson se zgjidhja ekziston vetëm disa qindra metra larg: një mbikalim i ndërtuar, por i lënë përgjysmë prej rreth dy dekadash.

Sipas tij, për ta bërë funksional këtë objekt mjafton ndërtimi i rrugëve lidhëse prej rreth 200 metrash në secilin krah, një ndërhyrje minimale që do të eliminonte rrezikun dhe do të lehtësonte ndjeshëm trafikun në këtë aks të rëndësishëm drejt jugut.

Korreshi akuzon se ndërhyrja e fundit institucionale ka qenë e gabuar, duke iu referuar vendimit për mbylljen e aksit me kolona, një masë që sipas tij penalizonte banorët duke i detyruar të përshkonin deri në 22 kilometra shtesë.