Akuza bombë e anëtarit të KVO: Vlera u dyfishua

Një anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) ka ngritur dyshime të forta mbi tenderin 9.5 milionë euro të RTSH për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes DVB-T2 për katër vitet e ardhshme, duke denoncuar fryrje të konsiderueshme të çmimit dhe mungesë reale konkurrence në proces.

Sipas një shkrese konfidenciale të siguruar nga mediat, një nga pesë anëtarët e KVO-së, i caktuar nga vetë RTSH, thekson se vlera e tenderit të fituar nga bashkimi i operatorëve Idea Tel dhe Real Com, ku përfshihet biznesmeni Idlir Karkini, është rritur me rreth 60% krahasuar me të njëjtin shërbim të ofruar në katër vitet e mëparshme.

Në dokument thuhet se i njëjti operator, Idea-Tel, e ka kryer këtë shërbim në periudhën 2021–2025 përmes nënkontraktimit me një vlerë prej 5.6 milionë euro pa TVSH. Ndërkohë, për të njëjtin objekt pune dhe të njëjtën periudhë kohore, oferta e re arrin në rreth 9 milionë euro, ose 61% më shumë.

Rrjeti i shpërndarjes DVB-T2 i RTSH është ndërtuar fillimisht nga kompania gjermane Rohde & Schwarz me një kosto prej 20 milionë eurosh. Për mirëmbajtjen e këtij rrjeti në katër vitet e fundit, kjo kompani ia kishte nënkontraktuar shërbimin Idea-Tel për 5.6 milionë euro.

Në tenderin aktual publik të zhvilluar nga RTSH, vlera fituese e ofertës së Idea-Tel dhe Real Com është 899.3 milionë lekë, që me kursin aktual përkthehet në rreth 9.4 milionë euro. Kjo do të thotë afro 4 milionë euro më shumë se sa është paguar për të njëjtin shërbim në katër vitet e mëparshme.

Sipas anëtarit të KVO-së, problemi nuk qëndron vetëm te rritja e çmimit. Ai thekson se procesi i tenderimit ka qenë thuajse pa garë reale. Nga tre ofertat e paraqitura, njëra rezulton fiktive, pa dokumentacion të plotë, ndërsa oferta e dytë është skualifikuar për mungesë të autorizimit nga prodhuesi. Në këtë mënyrë, në garë ka mbetur praktikisht vetëm një ofertë e vlefshme.

“Numri i ofertave të vlefshme është reduktuar në një, duke eliminuar konkurrencën reale. Oferta fituese është pothuajse në nivelin e fondit limit, pa reflektuar ulje çmimi, çka tregon mungesë presioni konkurrues,” thuhet në opinionin e anëtarit të KVO-së.

Fondi limit i përcaktuar për këtë tender ishte 906 milionë lekë, ndërsa oferta fituese rezultoi 899.3 milionë lekë, ose 99.3% e fondit limit. Në terma praktikë, RTSH ka kursyer vetëm rreth 70 mijë euro nga një tender me vlerë totale 9.5 milionë euro, një diferencë që sipas denoncimit tregon mungesë reale konkurrence dhe një fitues të paracaktuar.

Gjithashtu, në shkresë ngrihen shqetësime serioze edhe për përmbushjen e kritereve teknike nga kompanitë fituese. Sipas anëtarit të KVO-së, për Idea Tel dhe Real Com mungojnë diplomat universitare për katër inxhinierë, si dhe kontratat e punës për stafin e deklaruar. Po ashtu, nuk provohet qartë nëse stafi teknik ka eksperiencë të mëparshme në sistemet DVB-T2.

Pavarësisht këtyre kundërshtimeve të forta nga një prej anëtarëve të KVO-së, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH shpalli fitues bashkimin e operatorëve Idea-Tel dhe Real Com, duke finalizuar një proces prokurimi që, sipas denoncimit, ka qenë pa konkurrencë reale dhe me një kosto të fryrë ndjeshëm.