Si humbi 50 mijë euro  të ankimimeve dhe la fushën e lirë për Ermal Beqirin dhe EA Solution

Investigim  – Publik.al

Më 13 gusht 2025, një seri vendimesh të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) nxorën në pah një prapaskenë të pazakontë në garën për tendera publikë. Përballë njëri-tjetrit ishin dy kampe të njohura të tregut të IT-së: Advanced Business Solutions (ABS) e Gerond Meçes dhe EA/Soft Solution e Ermal Beqirit, e lidhur ngushtë me Armand Frangën,  baxhanakun e kryeministrit Edi Rama.

Pas muajsh betejash ligjore, ABS u tërhoq papritur nga pesë ankimime kyçe, duke humbur mbi 50 mijë euro tarifa ankimi dhe duke i hapur rrugë fitores së grupit rival.

Një lëvizje e beftë që ka ngritur dyshime për pazare në prapaskenë, presion politik dhe një skemë të sofistikuar për kontrollin e tenderëve publikë.

Tërheqja e papritur dhe pasojat

Dokumentet zyrtare tregojnë se ABS, në bashkëpunim me “Data Log” sh.p.k., kishte depozituar ankesa për tendera strategjikë përfshirë procedurën me vlerë 9.83 milionë euro për “Përmirësimin e Sistemit të Thesarit”.

Më 12 gusht 2025, ABS njoftoi zyrtarisht heqjen dorë nga të gjitha ankimet, duke e justifikuar me “angazhim në projekte prioritare”. Vetëm një ditë më pas, KPP regjistroi vendimet:

  • 1054/2025 – Sistemi i Thesarit
  • 1055/2025 – Salla e monitorimit të Burgjeve
  • 1056/2025 – Sistemi LIMS për ISUV
  • 1057/2025 – LIMS për Doganat

Këto tërheqje i kushtuan ABS jo vetëm 50 mijë euro të humbura, por mbi të gjitha i dhanë avantazh të menjëhershëm  për Soft Solution, duke fituar kontratat pa pengesa ligjore.

Biznesmeni Ermal Beqiri, një nga eksponentët më të fuqishëm në tregun shqiptar të teknologjisë, ka rënë në vëmendjen e SPAK. Beqiri është një emër i njohur në industrinë e IT-së për lidhjet e tij me institucionet publike dhe përfitimin e një sërë kontratash shtetërore, veçanërisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të denoncuara disa herë nga Publik.al. Kujtojmë se oficerë të BKH kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë së tij, “Soft & Solution”. Beqiri nuk është vetëm në këtë rrjet. Një kompani tjetër  “EA Solution”.  ka fituar shpejt terren në tregun e teknologjisë në Shqipëri, duke siguruar gjithashtu kontrata publike me vlera të mëdha, që kanë ngritur pikëpyetje mbi rregullsinë dhe transparencën e këtyre procedurave.

Nga burimet mediatike dhe të dhënat të publikuara në platformën e prokurimeve, del një skemë e qartë bashkëpunimi mes kompanive EA Solution (në pronësi të Ergys Agasit) dhe Soft & Solution (në pronësi të Ermal Beqirit), të cilat kanë përfituar dhjetëra kontrata publike me vlera të mëdha, kryesisht nga AKSHI dhe institucione të tjera shtetërore.

Skema e “çertifikatave të sigurisë”

Në qendër të kësaj historie qëndron certifikata e sigurisë  një kriter i justifikuar vetëm për kontrata që përfshijnë të dhëna të klasifikuara. Por AKSHI e ka kthyer në filtër universal, duke e vendosur si kusht edhe kur tenderët nuk lidhen me sekrete shtetërore.

Ky mekanizëm:

  • Skualifikon masivisht kompani të afta që nuk e kanë certifikatën.
  • Favorizon disa subjekte të përzgjedhura, mes tyre ABS dhe EA Solution.
  • Mbyll konkurrencën dhe krijon terren për pazare të fshehta.

Nëse KPP do të vendoste mbi ankesat e ABS, precedenti ligjor do të detyronte AKSHI-n të hiqte këtë kriter abuziv nga shumica e tenderëve. Pikërisht për këtë arsye, tërheqja e beftë e ABS shihet si dorëzim i blerë ose kompromis për të ruajtur status quo-në.

Gerond Meçe  “urithi” i tenderave

Nëse Soft/EA Solution mbështetet në lidhje të forta politike, ABS mbetet simboli i biznesit guaskë. Pronar real, Gerond Meçe ka manipuluar vazhdimisht pronësinë ligjore të kompanisë duke e kaluar tek nëna e tij Shegush Meçe (75 vjeç) apo administratore formale si Eriksela Shuli, me synimin për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.

Bilancet e ABS flasin vetë: nga më pak se 1 milion € xhiro në 2014, në mbi 20 milionë € në 2024, me fitime të raportuara deri në 1/3 e xhiros shifra të pamundura në treg, të cilat tregojnë se kompania shërben më shumë si thes për zhvendosjen e parave publike sesa për punë reale.

Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, 46 milionë euro kanë dalë nga thesari i shtetit dhe janë transferuar drejt kompanisë Advanced Business Solutions – ABS, me pronar faktit Gerond Meçe, përmes tenderave sekretë dhe gjysmë sekretë, me pazar në tavolinë dhe punë fiktive.

Në vitin 2014, kur nuk merrte tendera publikë, xhiroja vjetore e kompanisë ishte më pak se 1 milionë euro, ndërsa fitimi ishte rreth 100 mijë euro, pra 10 % e xhiros. Në vitin 2024, xhiroja vjetore është mbi 20 milionë euro, kryesisht produkt i parave publike, ndërsa norma e fitimit është gati sa 1/3 e xhiros, tregues që kompania nuk bën punë, por thjeshtë shërben si thes për vjedhjen e parave publike. Dhe jo vetëm kaq. Pjesa tjetër e parave, Meçe, meqenëse nuk bën ndonjë punë, e kalon tek një tjetër kompani, si xhep sekret.

Fitimi i kompanive me objekt të ngjashëm veprimtarie në raport me xhiron, është 5 deri në 10 %. Fitimi i kompanisë se Meçes pothuajse është sa xhiroja, fitim i deklaruar dhe para të zhvendosura në kompani guacka.

(Shegush Meçe)

Kur kompania  ABS u përfol  se po merrte  miliona eurove para publike me procedura sekrete, Gerond Meçe me  25 maj 2025 ‘hoqi dorë’ nga kompania e tij, duke ia kaluar aksionet mamasë Shegush Meçe.

Aktualisht, kompania ABS që u tërhoq  nga 5  tendera  formalisht është në duart e dy zonjave, Shegush Meçe ‘pronare’ dhe Eriksela Shuli administratore, ndërsa Gerond Meçe vijon pazaret  e radhës.

Pyetjet që mbeten pa përgjigje

  • Pse ABS, një kompani që pretendonte shkelje të rënda ligjore, u tërhoq brenda një dite nga 5 ankesa të mëdha?
  • A ka pasur një marrëveshje në prapaskenë mes Gerond Meçes dhe Ermal Beqirit për ndarjen e tregut?
  • A ka pasur presion politik për t’i hapur rrugë EA Solution?
  • Kush e ka firmosur

    vendosjen e kritereve

    të certifikatave

    sigurisë dhe në cilat tenderë realisht trajtohet informacion i klasifikuar?

Ky rast nuk është thjesht një episod i izoluar. Është një hallkë e zinxhirit të korrupsionit me tenderë sekretë, ku përplasen interesa biznesi të mbrojtura nga pushteti dhe ku humbësi i vetëm është publiku shqiptar.

Gerond Meçe, i fshehur pas grave dhe kompanive guackë, dhe Ermal Beqiri, i mbështetur nga lidhjet politike të familjes së kryeministrit, përfaqësojnë dy anët e së njëjtës medalje: një rrjet të errët që kontrollon tenderat IT dhe miliona euro të buxhetit të shtetit.

Skandali i tërheqjes nga ankimimet është një alarm serioz për transparencën, një provë e fortë se sistemi i prokurimeve publike është i kapur. Pyetja e madhe që mbetet është: a do të guxojë SPAK të prekë këtë kupolë të pazareve, apo do të mbetet një dosje tjetër e mbyllur në sirtar?