Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka nisur të reflektohet menjëherë në tregjet e energjisë në rajon. Në këtë kontekst, qeveria e Kosovë ka vendosur të ndërhyjë drejtpërdrejt në tregun e karburanteve për të frenuar rritjen e çmimeve, ndërsa në Shqipëri ende nuk ka një qëndrim të qartë zyrtar për ndikimin në tregun vendas.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila, ka firmosur vendimin për caktimin e marzhave maksimale të fitimit për operatorët që tregtojnë produkte të naftës. Vendimi erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve në tregun kosovar, e lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ndërhyrja është konsideruar e domosdoshme për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme. Ajo theksoi se vendimi u mor pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut, analizës së të dhënave nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku u konstatua se rritjet në import po reflektoheshin menjëherë në çmimet e shitjes.

Me aktin e ri, marzha maksimale e lejuar e fitimit është përcaktuar deri në 2 eurocent për litër për shitjen me shumicë dhe deri në 12 eurocent për litër për shitjen me pakicë. Autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle intensive në terren për të verifikuar zbatimin e vendimit, ndërsa çdo shkelje do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërkohë në Tiranë, përtej paralajmërimeve të Autoriteti i Konkurrencës për kontrolle në treg, nuk ka pasur masa konkrete për të frenuar rritjen e mundshme të çmimeve. Reagimi i vetëm institucional deri tani ka ardhur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka këshilluar shtetasit shqiptarë që ndodhen në zonat e konfliktit të tregojnë kujdes.

Në një kohë kur tregjet ndërkombëtare reagojnë me shpejtësi ndaj zhvillimeve gjeopolitike, diferenca në qasjen e dy qeverive po bëhet e dukshme: njëra ndërhyn për të kufizuar fitimet dhe për të mbrojtur konsumatorët, ndërsa tjetra mjaftohet me monitorim dhe deklarata të përgjithshme.