Platforma ndërkombëtare WorldAtlas ka publikuar një përditësim të renditjes së vendeve më të varfra në Evropë për vitin 2025, duke u mbështetur në të dhënat më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vlerësimi është bërë mbi bazën e Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), një tregues që reflekton më saktë standardin e jetesës krahasuar me të ardhurat nominale.
Sipas këtij klasifikimi, Kosova pozicionohet e dyta ndër vendet më të varfra në kontinent, menjëherë pas Moldavisë. Në këtë listë bie në sy edhe Ukraina, e cila ka pësuar një rënie të ndjeshme ekonomike pas zhvillimeve të vitit 2022, duke u renditur tashmë mes tre vendeve me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Evropë.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban vendin e shtatë në këtë renditje, ndërsa Serbia pozicionohet e teta. Lista pasqyron një panoramë të qartë të sfidave ekonomike që vazhdojnë të prekin Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor.
Të dhënat bazohen në publikimin e tetorit 2025 të raportit World Economic Outlook, ku përfshihen vlerësime të përditësuara për performancën ekonomike të vendeve.
10 vendet më të varfra në Evropë për vitin 2025 (PPP për frymë):
Moldavia – rreth 19,700 dollarë
Kosova – rreth 20,400 dollarë
Ukraina – rreth 21,000 dollarë
Bosnja dhe Hercegovina – rreth 22,800 dollarë
Maqedonia e Veriut – rreth 24,300 dollarë
Bjellorusia – rreth 25,500 dollarë
Shqipëria – rreth 25,600 dollarë
Serbia – rreth 28,500 dollarë
Mali i Zi – rreth 31,000 dollarë
Bullgaria – rreth 36,000 dollarë
Ekonomia e Kosovës karakterizohet nga një strukturë relativisht e kufizuar, ku sektori i shërbimeve zë peshën kryesore. Aktivitetet si ndërtimi dhe tregtia mbeten motorë të rëndësishëm të rritjes, ndërsa një rol thelbësor luajnë edhe dërgesat financiare nga emigrantët.
Remitencat, të cilat vijnë kryesisht nga shtete si Gjermania, Zvicra dhe Austria, përbëjnë rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ky nivel e vendos Kosovën ndër ekonomitë më të varura nga diaspora në shkallë globale.






