Denoncimi i Lefter Maliqit

Lefter Maliqi ka rikthyer në vëmendje çështjen e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke pretenduar se ai vijon të mbajë detyrën në kundërshtim me ligjin.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Maliqi thekson se Hajdari ka fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi në momentin e kandidimit për zgjedhjet vendore, duke kërkuar që institucionet të veprojnë dhe të vendoset drejtësia.

Sipas tij, çështja është zvarritur për vite me radhë përmes manovrave procedurale dhe mungesës së reagimit institucional, ndërsa vetëm tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kërkuar informacion mbi statusin juridik të Hajdarit.

Maliqi ngre pikëpyetje për kohën e këtij reagimi, duke theksuar se KQZ duhej të kishte ndërhyrë që në prill të vitit 2023, kur sipas tij, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kishte depozituar prova dhe dokumente për një vendim penal të formës së prerë ndaj Hajdarit në Greqi.

Ai shprehet se, nëse këto të dhëna do të ishin marrë në konsideratë në kohë, kandidimi i Hajdarit nuk duhej të ishte lejuar në zgjedhjet vendore të majit 2023 për Bashkinë Kuçovë.

Në reagimin e tij, Maliqi akuzon gjithashtu për ndërhyrje politike dhe mbrojtje institucionale, duke përmendur edhe rolin e avokatit të Hajdarit, Theodhori Sollaku, për të cilin thotë se ka përdorur mjete procedurale për të penguar zbardhjen e plotë të çështjes.

Sipas Maliqit, mandati i kryebashkiakut është siguruar në kushte të kontestuara, duke përfshirë përçarjen e opozitës, presione ndaj mbështetësve dhe dyshime për manipulime në procesin zgjedhor në Kuçovë.

Ai thekson se kërkesa e tyre nuk ka qenë për shkarkim personal, por për pavlefshmëri të kandidimit, pasi sipas tij, fshehja e një dënimi penal përbën shkelje të ligjit.

Në deklaratën e tij përmendet gjithashtu se çështja është trajtuar nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, të cilat, sipas Maliqit, kanë dhënë një vendim dënimi ndaj Hajdarit, i konvertuar më pas në punë në komunitet.

Në fund, Maliqi i bën thirrje KQZ-së që të mos e zvarrisë më procesin dhe të kërkojë informacion të plotë për të gjitha fazat e kandidimit dhe shqyrtimit të çështjes.

Ai e cilëson këtë situatë si një “turp kombëtar” dhe një tjetër skandal që, sipas tij, lidhet me ndërhyrje politike dhe deformim të vullnetit të qytetarëve.

“Drejtësia vonon, por nuk harron. Kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar me detyrën do të mbajë përgjegjësi,” – shprehet Maliqi, duke përfunduar me thirrjen që demokracia të rikthehet në vend dhe përgjegjësit të përballen me ligjin.

697046194 122220483602297504 2050279035045049744 N

Postimi i plotë:

Pas 3 vitesh zvarritje, manovrash procedurale dhe heshtjeje të qëllimshme, sot KQZ kujtohet papritur të kërkojë “informacion urgjent” për statusin juridik të Kreshnik Hajdarit të Kuçovës!

Po pse tani ?

Pse jo në prill 2023, kur Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ju vuri zyrtarisht në dijeni, me shkresë dhe në seancë publike, për vendimin penal të formës së prerë të Hajdarit në Greqi, të vulosur me apostile?

E vërteta është vetëm një:

Kreshnik Hajdari NUK duhej lejuar fare të kandidonte në zgjedhjet e Majit 2023 për Bashkinë Kuçovë.

Por KQZ zgjodhi të “blejë kohë”, të mbyllë sytë dhe të mbrojë kandidatin e Partisë, bashkë me avokatin e tij, ish-Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili prej 3 vitesh përdori çdo hile procedurale për të mos lejuar daljen e plotë të së vërtetës.

Ndërkohë, qytetarët e Kuçovës e dinë shumë mirë se si u grabit ai mandat:
me përçarjen e opozitës, me presionet e “operacionales së Bistrit”,Çuçit të familjes etj ndaj mbështetësve tanë, me ndërhyrje politike nga lart, me manipulime të procesit zgjedhor dhe dyshime serioze për ndryshim kutish e procesverbalesh në KZAZ Kuçovë.

Faktet janë kokëforta.

Ne nuk kemi kërkuar “shkarkimin” personal të Hajdarit. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë pavlefshmërinë e kandidimit të tij, sepse ai kishte fshehur një dënim penal të formës së prerë në Greqi.

Madje për këtë fakt, SPAK dhe Gjykata e Posaçme e dënuan Hajdarin me burg, të konvertuar më pas në punë në komunitet, ndërkohë që ai vazhdon ende sot të gëzojë mandatin e grabitur të kryebashkiakut.

Sot që KQZ paska nisur të kërkojë të dhëna për statusin juridik të Hajdarit në dy momente kohore, i kujtojmë KQZ se duhet të kërkojë informacion edhe për momentin kur Hajdari paraqiti kandidaturën dhe për momentin kur Koalicioni “Bashkë Fitojmë” e denoncoi zyrtarisht para KQZ-së me prova dhe dokumente ligjore.

Mos e zvarrisni më këtë kalvar juridik!

Sepse kjo histori është kthyer në një turp kombëtar dhe një tjetër skandal që i shtohet listës së gjatë të skandaleve të KQZ-së me ndërhyrje politike dhe oligarkike.

Drejtësia vonon, por nuk harron.

Kushdo që ka shkelur ligjin, kushdo që ka abuzuar me detyrën dhe ka deformuar vullnetin e qytetarëve, do të mbajë përgjegjësi para ligjit.

Demokracia duhet të vihet në vend.
Haka duhet të shkojë tek i zoti!