Denoncimi i Ina Zhupës: Degradim për dinjitetin kombëtar, duhet ndërhyrje e menjëhershme

Capture

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, duke e cilësuar situatën si alarmante për një nga objektet më përfaqësuese të historisë shqiptare.

Përmes publikimit të disa pamjeve nga godina, ajo evidenton dëmtime të dukshme strukturore, përfshirë çarje në mure dhe degradim të përgjithshëm, që sipas saj rrezikojnë seriozisht qëndrueshmërinë e ndërtesës. Sipas Zhupës, mungesa e mirëmbajtjes ka sjellë një situatë ku një simbol i rëndësishëm kombëtar po shkon drejt rrënimit.

Në reagimin e saj, ajo thekson se gjendja aktuale nuk përfaqëson dinjitetin që duhet të reflektojë një institucion i tillë, si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për turistët e huaj që vizitojnë vendin.

Zhupa i ka bërë thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës që të ndërhyjë pa vonesë, duke nisur një proces të plotë restaurimi. Ajo kërkon jo vetëm financime të mjaftueshme, por edhe angazhim serioz profesional, në mënyrë që objekti të rikthehet në standardet e duhura dhe të jetë i denjë për t’u vizituar gjatë sezonit turistik.

Sipas saj, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë historike nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe një element thelbësor për imazhin e Shqipërisë përballë botës.

Reagimi i plotë:

Ndodhem në qytetin e Vlorës, mbrapa meje është Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. Një simbol kombëtar identitetit shqiptar, historisë shqiptare.

Siç mund ta shikoni, fatkeqësisht ky muze ka pësuar krisje kudo nëpër muret e tij, ballkoni është totalisht i pa aksesueshëm dhe i pa vizitueshëm nga banorët dhe rrezikon shëmbjen.

Kjo nuk është fytyra e shtetit shqiptar, ky nuk është dinjiteti që duhet të kenë shqiptarët të prezantuar në raport me veten e tyre por edhe me turistët që vijnë.

Ndaj sot nga Vlora i bëj thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës që menjëherë të nisë restaurimin e kësaj godine historike, të vërë paratë e duhura, të vërë njerëzit e duhur që të kenë mundësi që gjatë sezonit turistik të kemi dinjitet në simbolin më të rëndësishëm të identitetit kombëtar.