Një tjetër skemë mashtrimi po qarkullon në Shqipëri përmes mesazheve SMS, ku qytetarët synohen të mashtrohen në emër të platformës shtetërore e-Albania.
Mesazhet pretendojnë se marrësi ka gjoba të papaguara për automjetin dhe e ftojnë të klikojë në një link për të kryer pagesën, shpesh duke ofruar edhe “ulje” të menjëhershme. Në realitet, bëhet fjalë për faqe të falsifikuara që synojnë të vjedhin të dhëna personale dhe bankare.
Autoritetet bëjnë të qartë se këto njoftime nuk kanë asnjë lidhje me institucionet shtetërore dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm ndaj mesazheve të tilla mashtruese.
Si të mbroheni
- Mos klikoni në linke të dërguara nga numra të panjohur
- Mos ndani të dhëna personale apo bankare në faqe të pasigurta
- Mos u ndikoni nga mesazhe që krijojnë urgjencë apo presion
Për çdo shërbim, qytetarët duhet të përdorin vetëm faqen zyrtare të e-Albania.
Denoncimi i qytetares
Një qytetare ka raportuar rastin, duke treguar se ka marrë një SMS ku pretendohej se automjeti i saj kishte marrë gjobë dhe i ofrohej pagesa me 50% ulje përmes një linku. Ajo thekson se familja e saj nuk zotëron asnjë automjet, çka e bën të qartë natyrën mashtruese të mesazhit.
Sipas saj, mesazhi vinte nga një numër me prefiks ndërkombëtar +91 dhe u raportua menjëherë si mashtrim.






