Sipas raportimeve të bëra nga CNA, dosja hetimore e SPAK zbardh një skemë komplekse dhe të dyshimtë financiare, që përfshin Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe kushëririn e saj Valmir Xoxa.

Afera ka të bëjë me transaksione që përfshijnë shuma të mëdha parash, kredi të buta të përfituara në mënyrë të dyshimtë, dhe shitblerje pronash përmes skemave që ngjallin dyshime për pastrim parash dhe konflikt interesi.

Sipas vendimit të zbardhur të gjykatës, në faqen 93 të tij gjen një emër, Valmir Xoxa, i cili në fakt është djali i xhaxhait të Ajola Xoxës.

Sipas të dhënave të siguruara nga prokurorët, babai i Ajolës, Arben Xoxa, në vitin 2016 bleu një makinë prodhim të vitit 2010 me vlerë 7000 euro.

Dokumentet/ Si Ajola përdori Valmir Xoxën në skemat e shitblerjes

“AA813NF (AB910HZ). Mercedes Benz E220 CDI, e Zezë, vitprodhimi 2010, Naftë. Me kontratën Nr. 1538 Rep., dhe Nr. 983 Kol., datë 08.02.2016, Arben Xoxa ka blerë mjetin për shumën 7,000 (shtatë mijë euro), nga shitësi Arnest Behar Laze.

Ky mjet, sipas çertifikatës për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë ligjore (1257 rep., nr. 505 kol, “Vendim për lëshimin e trashëgimisë ligjore”, 18 Mars 2019 Notere Mimoza Sadushaj), ka kaluar në pronësi të Valbona Xoxa dhe Ajola Xoxa.

Me kontratën Nr. 1359 Rep., dhe Nr. 688 Kol., datë 14.04.2022, Valbona Xoxa dhe Ajola Xoxa e kanë shitur mjetin kundrejt blerësve Valmir Agron Xoxa dhe Ardita Fatmir Meni. Këtë mjet, rezulton që shtetaset Valbona Xoxa dhe Ajola Xoxa e kanë shitur kundrejt çmimit prej 23,000 (njëzet e tre mijë) Euro, tek kushëriri i kësaj të fundit, shtetasi Valmir Xoxa.

Palët kanë rënë dakord që çmimi i shitjes të kalojë te llogaria e Valbona ???? në Intesa San Paolo Bank, me IBAN: AL71208110080000048298635102. Me kontratën Nr. 3942 Rep., dhe Nr 1826 Kol.. vetë Valmir Xoxa dhe Ardita Meni ja kanë shitur mjetin shtetasit Tosun Ramis Qelasi, për çmimin prej 11.500 Euro”, thuhet në hetimet e kryera nga SPAK-ut.

Por mjafton një deklarim i tij ku thekson se kur është pyetur se ku i ka mbajtur, ku i ka vendosur këto para gjithë këto vite, ku i ka siguruar, ku i ka fshehur, si kujdesje për to Valmir Xoxa ka thënë se paratë i mbante në dy jastëkë dhe së bashku me bashkëshorten shëtiste me këto dy jastëkë gjatë kohës së tërmetit të vitit 2019.

Image

“I pyetur sa kursime ka patur në euro dhe sa në lekë, deklaruesi përgjigjet se nuk e mbante mend. Deklaruesi gjithashtu nuk mban mend se kur ka qenë momenti kohor që ka patur vlerën më të madhe të parave cash në banesë. Megjithatë, sipas deklaruesit, në kohën kur ra tërmeti, në vitin 2019, bashkëshortja e tij ka marrë dy jastekë të vegjël brenda të cilëve ndodheshin paratë por edhe materialet përbërëse të jastekëve dhe kanë dalë me urgjencë nga banesa. I pyetur nëse e dinte sa lekë ndodheshin brenda jastekëve, deklaruesi shprehet se nuk e dinte pasi nuk e kishte pyetur bashkëshorten”, thotë ai Prokurorëve.

Pra, Valmir Xoxa, anëtar i një bande frymore, kushëri i parë i Ajola Xoxës, blinte makinën e gocës së xhaxhait me trefishin e çmimit në treg, e shiste pastaj me gjysmë çmimin, nga dheu më pas i mbinin 140 mijë euro për t’ia dhënë Ajolës për të blerë truall, më pas Ajola ia kthente këtij në pronësi dhe tërhiqej ndërkohë që Ajola do të përfitonte apartamente.

Dokumentet- Si Ajola përdori Valmir Xoxën në skemat e shitblerjes së makinës

Pra, ato 140 mijë euro në përqindje që do të merrte pas zhvillimit të pronës ishin qindra mijëra më shumë, ndoshta miliona në vlerë, pasi nga 140 mijë euro do të merrte disa apartamente si pjesë takuese, por në fund kur gjithçka ishte bërë gati Ajola tërhiqet dhe ia kalon Valmirit.

Elementët kyç të aferës
1. Kredia e butë e përfituar nga Valmir Xoxa
• Valmir Xoxa, që sipas të dhënave është i pastrehë, përfiton një kredi të butë nga Bashkia e Tiranës në vlerën e 40 milionë lekëve.
• Ndërkohë që përfiton këtë kredi për strehim si “i pastrehë”, Valmiri kryen transaksione të rëndësishme financiare që nuk përputhen me statusin e tij.
2. Transaksioni i parë – Blerja e makinës
• Valmir Xoxa blen një makinë për Ajola Xoxën në vlerën 23,000 euro.
• Më pas, ai e shet të njëjtën makinë për 11,000 euro, duke krijuar një humbje të konsiderueshme në këtë transaksion. Kjo lëvizje ngjall dyshime për qëllimin e vërtetë të transaksionit.
3. Blerja e truallit për 140,000 euro
• Valmir Xoxa paguan 140,000 euro cash për të blerë truallin dhe dy vila në një zonë të lakmuar pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë.
• Ky truall më parë ka qenë në pronësi të Ajola Xoxës dhe nënës së saj, Valbona Xoxa.
• Prokurorët e SPAK dyshojnë se transaksioni është kryer për të fshehur burimin e parave dhe për të mbrojtur pronën nga hetimet.
4. Pronësia dhe zhvillimi i truallit
• Pas blerjes së truallit, ndërtesat e vjetra janë shembur dhe trualli është dhënë për zhvillim ndërtimor tek një kompani private.
• Në bazë të marrëveshjes, pronarët e truallit përfitojnë apartamente si pjesë takuese nga ndërtimi i ri.
• Në një moment të papritur, Ajola Xoxa heq dorë nga pronësia dhe ia kalon të gjitha të drejtat Valmir Xoxës.
5. Hetimi i SPAK dhe deklaratat kontradiktore
• Në hetimet e SPAK, Valmir Xoxa deklaron se paratë e përdorura për këto transaksione vijnë nga kursimet e tij dhe të bashkëshortes, të cilat i mbanin të fshehura në dy jastëkë gjatë periudhës së tërmetit të vitit 2019.
• Prokurorët janë skeptikë për këtë justifikim, pasi të ardhurat e tij si punonjës i bandës frymore të Bashkisë së Tiranës janë vetëm 20,000 lekë në muaj, një shumë shumë herë më e ulët sesa ajo e deklaruar për këto transaksione.

Pjesëmarrja e palëve të tjera

SPAK ka identifikuar edhe kontakte mes Ajola Xoxës dhe ndërtuesve të ndryshëm për zhvillimin e truallit. Dokumentet tregojnë se transaksionet janë pjesë e një skeme më të madhe për të përfituar në mënyrë të dyshimtë nga lejet e ndërtimit dhe zhvillimi i pronave.

Përfundimi dhe situata aktuale

Hetimet e SPAK kanë përfunduar, dhe prokurorët kanë dërguar dosjen në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Prokurorët kërkojnë masa ndalimi për Erion Veliajn dhe disa biznesmenë të tjerë, ndërsa Ajola Xoxa është nën hetim për përfshirjen e saj në skemën e shitblerjes së pronave.

Analiza e prokurorëve sugjeron se transaksionet e kryera janë pjesë e një skeme për të fshehur burimin e parave dhe për të përfituar nga ndërtimet në qendër të Tiranës. Shumë prej provave ndodhen në dosjet e SPAK, ndërsa Valmir Xoxa dhe Ajola Xoxa kanë dhënë deklarata kontradiktore për origjinën e shumave të përdorura në këto transaksione.