Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), Maryam Rajavi, ka theksuar se vetëm një rezistencë e mirëorganizuar brenda vendit mund të çojë në rrëzimin e sistemit aktual dhe të garantojë një tranzicion politik të qëndrueshëm dhe pa trazira.

Në një intervistë për gazetën greke “Ekathimerini”, ajo nënvizon se struktura që drejton përfaqëson alternativën e vetme reale dhe të përgatitur për të zëvendësuar regjimin, në një kohë kur e ardhmja politike e Iranit mbetet e pasigurt dhe tensionet vazhdojnë.

Maryam Rajavi është një nga figurat më të njohura të opozitës iraniane në mërgim. E lindur në Teheran në vitin 1953, ajo u angazhua që herët në lëvizjet kundër regjimit të Shahut dhe më pas kundër sistemit të vendosur nga Ajatollah Khomeini. Sot, ajo konsiderohet një nga zërat më aktivë dhe më të artikuluar të opozitës jashtë Iranit.

Aktualisht, Rajavi udhëheq një koalicion organizatash politike, ku elementi kryesor është grupi opozitar Mojahedin-e-Khalq (MEK), një nga strukturat më të konsoliduara të opozitës iraniane në diasporë.

Intervista e plotë:

Çfarë nënkupton zgjedhja e Mojtaba Khameneit si lider i ri suprem?

Pushteti absolut klerikal është shndërruar në thelb në një monarki trashëgimore. Megjithatë, kjo nuk mund ta shpëtojë “anijen e mbytur” të fashizmit fetar. Ky është një tjetër uzurpim i sovranitetit të popullit iranian dhe i demokracisë së tij, duke dëshmuar edhe një herë se një gjarpër nuk lind pëllumba. Për më shumë se tre dekada, Mojtaba Khamenei – së bashku me të atin – ka qenë një nga arkitektët kryesorë të represionit, eksportit të fundamentalizmit dhe terrorizmit, si dhe grabitjes së pasurisë së popullit iranian. Në praktikë, ai ka funksionuar prej kohësh si pasardhësi de facto i të atit.

A e shihni afër rënien e regjimit islamik, veçanërisht pas vdekjes së Ali Khameneit?

Kjo luftë është rezultat i politikave aventuriste të regjimit të Velayat-e Faqih, nga programet bërthamore dhe raketore deri te eksporti i terrorizmit dhe nxitja e konflikteve në rajon – politika që rezistenca iraniane i ka denoncuar prej 35 vitesh. Në vitin 2002, duke zbuluar dy qendrat kryesore bërthamore të regjimit në Natanz për pasurimin e uraniumit dhe në Arak për ujin e rëndë, rezistenca pengoi që bota të përballej papritur me një regjim fundamentalist që zotëron armën atomike. Vdekja e Khameneit, ndonëse një goditje e madhe për majën e sistemit të Velayat-e Faqih – dhe ndonëse lufta e ka dobësuar qartësisht regjimin – nuk do të çojë automatikisht në rrëzimin e tij. Faktori vendimtar mbetet ekzistenca e një rezistence të organizuar brenda vendit, e aftë për ta përmbysur regjimin dhe për të menaxhuar periudhën e tranzicionit.

A ekziston rreziku që Irani të zhytet në kaos dhe luftë civile?

Me praninë e një rezistence të organizuar në terren dhe të një alternative të njohur si NCRI, e cila ka plane dhe programe të qarta për të ardhmen, një luftë civile nuk do të ndodhë. Shoqëria iraniane, ndryshe nga shumë vende të tjera të rajonit, mbetet e bashkuar pavarësisht diversitetit etnik. Në një mesazh drejtuar popullit iranian, kam bërë thirrje për unitet dhe solidaritet kombëtar mes të gjithë qytetarëve, pavarësisht orientimit politik, besimit fetar apo përkatësisë etnike.

Si i interpretoni turmat e mëdha në ceremonitë mortore për Khamenein?

Për një regjim që sundon një metropol me 10 milionë banorë si Teherani, mobilizimi i disa dhjetëra apo qindra mijëra njerëzve nuk është i vështirë. Regjimi përdor institucionet administrative, shkollat dhe organizatat shtetërore, ushtron presion mbi punonjësit dhe shtresat e varfra dhe angazhon burime të mëdha shtetërore për të organizuar këto aktivitete. Madje, ka detyruar familje të viktimave të protestave të janarit të marrin pjesë në ceremonitë zyrtare për të marrë trupat e të afërmve të tyre. Më e rëndësishmja është se realiteti nuk matet nga një ditë apo një imazh i vetëm, por nga vazhdimësia e protestave, grevave dhe rezistencës së organizuar që janë shfaqur në mënyrë të përsëritur vitet e fundit.

A është gati Këshilli Kombëtar i Rezistencës për të qeverisur vendin?

NCRI ka parashikuar mekanizmat e nevojshëm për një transferim paqësor dhe të rregullt të pushtetit tek populli. Sipas planit të tij, pas rrëzimit të regjimit, një qeveri e përkohshme do të marrë përgjegjësinë për administrimin e vendit dhe do të organizojë zgjedhje për një Asamble Kushtetuese brenda një periudhe maksimale prej gjashtë muajsh. Me krijimin e kësaj asambleje, mandati i qeverisë së përkohshme përfundon. Asambleja do të hartojë një kushtetutë të re dhe do të emërojë një qeveri për drejtimin e vendit. Ne angazhohemi për drejtësi dhe jo hakmarrje, për sovranitet popullor dhe jo pushtet personal. Ky është garancia më e mirë kundër luftës civile, separatizmit dhe kaosit.