SKEMA/ Gjurma e Lul Berishës shihet në 4 biznese. Nga policia private tek tregtia e naftës, ja emrat

Flamur Vezaj

Edhe pse në burg Lulzim Berisha, vijon të ketë gjurmën e tij në disa biznese në Tiranë dhe Durrës, duke u fshehur përmes emrave si, Luljeta Berisha, Kevin Bilali, Aurela Zela, Shkëlqim Kalemi, Ilir Bardhi e të tjerë.

Hetimet e çelura nga SPAK dhe Operacioni “Forca e Ligjit” nuk arritën të prodhonin një dosje gjyqësore për Lulzim Berishën, megjithëse në atë kohë pas denoncimeve ne media, Policia e Shtetit veproi me urgjencë duke sekuestruar disa depozita nafte në Durrës dhe mbi 16 pasuri.

Por tashmë një kallëzim i ri ka mbëritur në zyrat e SPAK, kundër Lulzim Berishës dhe motrës së tij, Luljeta Berisha.

Një material i kallëzuar nga një vajze 19-vjeçare nga qyteti i Durrësit, ka vënë në lëvizje prokurorinë e posaçme SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për të nisur një hetim penal kundër Lulzim Berishës, motrës së tij, Luljeta Berisha dhe lidhjeve të tyre shoqërore me të cilët administrojnë disa kompani dhe prona.

Lulzim Berisha, ish-i dënuari me 25 vite burgimpër disa vrasje në Durrës, aktualisht qëndron i izoluar në ambjentet e burgut të Peqinit, pasi ndaj tij SPAK, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në Burg” për rastin e vrasjes së Klodian Saliut, ngjarje kjo e ndodhur në Durrës në muajin Shkurt 2005.

Por pavarësisht qëndrimit të tij në ambjentet e qelisë, Lulzim Berisha, shumë punë të errëta jashtë burgut, i mbaron përmes motrës së tij që ka në Durrës, Luljeta Berisha.

Sipas burimeve për “MaShqip”, përmes shantazheve, korrupsionit, dhe presioneve, kjo e fundit është kthyer në terenin e Durrësit dhe jo vetëm, në “zonjën e Hekurt” të interesave ekonomike të vëllait të saj që ka në burg.

Përmes emrit të Luljeta Berishës dhe individëve prestanome të saj, janë rregjistruar disa biznese dhe prona të paluajtshme si kompani nafte, polici private dhe lidhje të tjera që çojnë deri tek ish-zv/kryeministrja e vendit, Belinda Balluku.

Prezenca e Luljeta Berishës shihet në disa vende në Durrës, ku së fundi interesi i saj është parë dhe tek një sipërfaqe toke mbi të cilën funksionon tregu ushqimor i Durrësit.

Kjo sipërfaqe toke mësohet të jetë rregjistruar në emër të një vajze 19-vjeçare, të cilës Lulzim dhe Luljeta Berisha, duan t’ia tjetërsojnë me pretendimin se kjo sipërfaqe toke është përdorur prej disa vite prej tyre.