Arrestimi i presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, vijon të mbetet në qendër të vëmendjes mediatike në mbarë botën, duke dominuar titujt kryesorë dhe rrjetet sociale.

Së fundmi, në qarkullim është vënë një fotografi e Maduros pas arrestimit, ku ai shfaqet i veshur me kostum sportiv të markës “Nike” dhe me një shishe uji në duar. Pamja ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe mediave, duke u bërë virale në pak kohë.

Në këtë kontekst, media prestigjioze spanjolle Marca ka zgjedhur t’i qaset situatës me nota ironike, duke bërë një krahasim mes veshjes sportive të Maduros dhe asaj të sulmuesit të Majorkës dhe Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi. Në postimin e saj, Marca shkruan: “Kostumet sportive që po bëjnë xhiron e botës… edhe në La Liga”, duke nënkuptuar ngjashmërinë mes dy veshjeve.

Natyrisht, publikimi është bërë në kuadrin e një shakaje dhe ka pasur si synim të shtojë dozën e ironisë rreth një ngjarjeje që ka tronditur arenën politike ndërkombëtare.

Ndërkohë, sipas informacioneve të deritanishme, Nicolás Maduro u arrestua nga forcat amerikane pas një operacioni të shpejtë që zgjati vetëm disa orë. Ai aktualisht mbahet në një burg të sigurisë së lartë, i cilësuar si një nga institucionet më famëkeqe, ku janë ndaluar më parë trafikantë dhe gangsterë të rrezikshëm.

Zhvillimet e fundit pritet të kenë pasoja të rëndësishme politike dhe diplomatike, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër çdo hap të mëtejshëm lidhur me fatin e ish-udhëheqësit venezuelian.