Shteti që ndërroi emrin dhe flamurin, tani do mendim për gjuhën shqipe
Ish-kryeministri dhe ish-deputeti Pandeli Majko ka reaguar publikisht, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbështesin protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Kjo protestë lidhet me kërkesën për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet universitare.
Tubimi është paralajmëruar të zhvillohet më 18 maj në Shkup, duke nisur nga ora 16:30.
Në reagimin e tij, Majko e cilëson kërkesën e studentëve si një të drejtë bazike dhe të padiskutueshme, duke theksuar se është e pakuptimtë që studimet të zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa provimet të jepen në një gjuhë tjetër.
“Studentët shqiptarë kërkojnë të drejtën më të vjetër në botë, atë të gjuhës amëtare! Ata kërkojnë që gjuha e provimit në jurisprudencë të jetë në gjuhën shqipe! Të studjosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive!”, shkruan Majko.
Ai ndalet edhe te qëndrimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke e kritikuar për idenë e konsultimit me Komisionin e Venecias për çështjen e gjuhës shqipe.
“Kryeministri Mickovski ka deklaruar se do të “pyetet” Komisioni i Venecias për përdorimin e gjuhës shqipe!… Shteti që ndroi emrin dhe flamurin, ka vendosur “të pyesë” se çfarë të bëj me fëmijët e shqiptarëve!”, thekson Majko.
Sipas tij, kjo lëvizje studentore tejkalon një reagim të thjeshtë akademik dhe përfaqëson një përballje më të gjerë me një sistem që, sipas tij, ka dështuar të garantojë zbatimin e barabartë të të drejtave.
“Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është refuzim i një sistemi që e ka humbur kontrollin mbi vetveten dhe zbatimin e ligjit! Kjo që po ndodh, është më shumë se një revoltë studentësh! Ajo është një betejë për të ardhmen. Protestoni sot! Ajo refuzon luftën nesër!”, përfundon Majko.






