Ministri i Jashtëm deklaroi se Shqipëria mund të mos e zgjasë marrëveshjen

Kryeministri: Do të vazhdojë për aq kohë sa vendi fqinj do të dojë

Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në X lidhur me debatet mbi të ardhmen e marrëveshjes Shqipëri–Itali për refugjatët, duke theksuar se pakti nuk vihet në diskutim.

Në reagimin e tij, Rama hodhi poshtë interpretimet e fundit në media, duke i cilësuar ato si keqinterpretim të një deklarate të Ministrit të Jashtëm.

“Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë,” u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se marrëveshja do të vazhdojë pa një kufi të prerë kohor.

Reagimi i Ramës vjen pas një interviste të Ferit Hoxhës për Euractiv, ku ai deklaroi se marrëveshja është parashikuar të zgjasë pesë vite dhe se nuk është e sigurt nëse do të ketë një zgjatje, duke përmendur edhe perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.

Deklarata e tij shkaktoi reagime dhe paqartësi mbi vijimësinë e paktit, çka detyroi kryeministrin të ndërhyjë për të sqaruar qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare.