Bashkimi Europian i ka dhënë një tjetër mesazh vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Union, ndërsa rrëzon propagandën se ky proces mund të realizohet pa plotësim kushtesh apo me formula të reja për shkak të zhvillimeve gjeopolitike.
Mali i Zi është vendi që konsiderohet më pranë Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria renditet e dyta mes vendeve të Rajonit duke hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Edi Rama ka deklaruar se brenda 2030 synon anëtarësimin e Shqipërisë në BE, madje kjo u përdor edhe në fushatën për zgjedhjet e 11 majit 2025, kur ai mori mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër.
Rama e ka cilësuar si një hap madhor hapjen e të gjithë kapitujve brenda një kohe të shkurtër, ndërsa propozoi një përshpejtim të procesit të zgjerimit, madje duke hedhur idenë e anëtarësimeve pa të drejtë vetoje. Ky qëndrim i Ramës u mbështet edhe nga Serbia, përmes Presidentit Aleksandar Vuçiç, por pati reagime të forta nga Brukseli.
Së fundmi ishte Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin, që ka zgjedhur të japë një mesazh të prerë ndaj vendeve që synojnë anëtarësimin. Madje për herë të parë në mesazhin e një zyrtareve nga Brukseli thuhet se në BE nuk mund të pranohen shtete të reja që mund të dobësojnë Unionin, çka ka lidhje direkt me rregullat demokratike e politike, dhe jo thjesht përmbushjen e kushteve teknike.
“Ne nuk mund të përballojmë të pranojmë dikë, një shtet të ri anëtar të BE-së, që do të na dobësonte. Ne nuk jemi një grup miqsh, por një komunitet vlerash”, tha Kos, gjatë një diskutimi të zhvilluar nga Atlantic Council, në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington DC.
Duke përcjellë një mesazh të prerë ndaj vendeve që aspirojnë BE-në, Kos theksoi “pasi vendosni që të jeni pjesë e këtij komuniteti vlerash dhe të përfitoni nga të gjitha avantazhet e tij, duhet të silleni si duhet dhe të jeni në anën e duhur”.
“Asnjë vend nuk mund të bëhet shtet anëtar i BE-së pa përmbushur kriteret”, si vendosja e sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe liria e shprehjes.
Ne jemi sulmuar nga drejtime të ndryshme, akuzohemi se demokracia jonë nuk është një demokraci e vërtetë, se qytetërimi ynë është në rënie… Nuk është aspak në rënie, mjafton të shikoni zgjedhjet në Hungari”, tha Kos.
Qëndrimi i Marta Kos rikthen edhe njëherë në vëmendje plotësimin e kritereve nga vendet që presin apo shpresojnë të jenë anëtarët e rradhës së Bashkimit Europian.
Rezultatet e fundit të Eurobarometrit tregojnë se qytetarët e vendeve të Unionit nuk mbështesin zgjerimin në drejtim të vendeve që kanë probleme ekonomike.
Në Gjermani dhe Austri, një zgjerim i mundshëm i Bashkimit Evropian në përgjithësi refuzohet nga shumica. Sondazhet e Eurobarometrit, instrumenti i BE-së për matjen e opinionit publik, e tregojnë këtë rregullisht.
Një sondazh i shtatorit 2025, tregoi se në nivel të BE-së ekziston një shumicë prej 56% në favor të pranimit të anëtarëve të rinj. Megjithatë, në Gjermani dhe Austri mbështetësit janë në pakicë, përkatësisht me 49% dhe 45%.
Mbështetja është edhe më e ulët në Republikën Çeke dhe Francë, ku vetëm 43% e të anketuarve mbështesin idenë e zgjerimit të BE-së.
Por brenda pak muajve duket se mbështetja është reduktuar edhe më tej në disa nga vendet e BE-së.
Refuzimi lidhet gjithashtu me reputacionin e dobët të vendeve kandidate. Me përjashtim të Turqisë, e cila ka mbetur vetëm formalisht kandidate dhe nuk luan më rol real në debatin për zgjerimin, të gjitha vendet që synojnë anëtarësimin janë nga Evropa Lindore: gjashtë nga Ballkani Perëndimor, si dhe Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia, kjo e fundit aktualisht nuk konsiderohet më një kandidate serioze.
Në të gjitha këto vende, niveli i zhvillimit ekonomik mbetet nën mesataren e vendeve aktuale anëtare. Kjo krijon pak entuziazëm, jo vetëm në Austri dhe Gjermani. Kandidatët shpesh perceptohen si përfitues neto, si “vende që marrin”, të cilat nuk kontribuojnë. Ky perceptim është i diskutueshëm, por mbetet një realitet në opinionin publik.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin e BE, Marta Kos, ka deklaruar së fundi se Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian edhe përpara vitit 2030.
Këtë deklaratë Komisionerja e bërë gjatë një interviste në Atlantic Council, ku foli për rrugën që kanë përpara vendet e Ballkanit Perëndimor, duke veçuar Malin e Zi dhe Shqipërinë.
“Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare deri në vitin 2030 ose edhe më herët”, është shprehur Kos ndër të tjera.
Më tej ajo është pyetur edhe për letrën e bërë nga Vuçiç dhe Rama ku sugjeronin që vendet e tyre mund të bashkoheshin me Schengen-in dhe tregun e përbashkët, për shembull, me koston e një anëtarësimi të lehtë, pra pa të drejtë vetoje, Kos në lidhje me këtë u shpreh: “Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së”
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Duke ardhur te Ballkani Perëndimor në veçanti, siç thashë, shumë nga vendet kandidate janë në këtë proces prej dekadash. Në të njëjtën kohë, kemi dy vendet kryesuese: Malin e Zi, që shpreson të mbyllë të gjithë kapitujt e tij deri në fund të këtij viti. Dhe pastaj Shqipërinë, e cila ka shprehur vendosmërinë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm. Si e vlerësoni këtë progres? Sa realist është slogani malazez “28 by 28”? Pra, anëtari i 28-të deri në vitin 2028. Na jepni vlerësimin tuaj.
Marta Kos: E dini, zakonisht ne nuk vendosim data në procesin e anëtarësimit, sepse kjo varet vërtet nga meritat. Pra, varet nga mënyra se si vendet po japin rezultate. Por sigurisht, ne mbështesim objektiva ambicioze. Së pari për Malin e Zi, është e mundur që ne t’i mbyllim.
Pra, është e mundur që Mali i Zi me 650,000 banorë të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.
Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare deri në vitin 2030 ose edhe më herët. Dhe pastaj sigurisht, tani ndoshta do të kemi një vend të ri kandidat. Unë po e pres me shumë padurim.
Pyetje: Më lejoni t’ju pyes si pyetjen e fundit, ndoshta në lidhje me këtë, që është pjesë e diskutimit për reformën. Kohët e fundit patëm një opinion të shkruar nga Presidenti Vuçiç i Serbisë dhe Kryeministri Edi Rama i Shqipërisë, ku sugjeronin që vendet e tyre mund të bashkoheshin me Schengen-in dhe tregun e përbashkët, për shembull, me koston e një anëtarësimi të lehtë, pra pa të drejtë vetoje. Si i shihni propozime të tilla dhe marrëveshje të përkohshme të propozuara si pjesë e një dinamike tjetër të anëtarësimit?
Marta Kos: Nuk ka anëtarësim “light”. Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga zoti Vuçiç dhe Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, e dini, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak. Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian.






