Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur kritika të drejtpërdrejta ndaj funksionimit të disa institucioneve shtetërore gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke ngritur shqetësimin për mungesë transparence dhe moskthim përgjigjesh ndaj kërkesave zyrtare për informacion.

Ai theksoi se ka dërguar një sërë kërkesash drejtuar ministrive dhe agjencive të ndryshme, por në shumë raste nuk ka marrë asnjë përgjigje brenda afateve ligjore. Sipas Braçes, kjo situatë është bërë e përsëritur dhe pengon ushtrimin normal të rolit të tij si deputet.

Një prej rasteve që ai veçoi, ishte refuzimi i një interpelance nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me kompetencat e kësaj ministrie.

Në fjalën e tij, Braçe u shpreh:

“U bë e disata herë që flas për të njëjtën problematikë këtu. Ka të bëjë me kërkesat për marrjen informacioni me Ministrinë e Brendshme, me Bashkinë e Tiranës, për interpelancë me ministrat përkatës. Sot kanë skaduar kërkesat për informacion me Ministrinë e Brendshme, me AKUKU-n. Kam marrë përgjigje edhe nga Ministri i Bujqësisë që thotë; nuk dua të bëj interpelancë me ty! Ministria e Bujqësisë ngarkohet me problematikën për të cilën kam kërkuar informacion. Kam kërkuar informacion për kafshët shoqëruese të braktisura, Agjencia thotë se kam kompetencë dhe ministria thotë; s’kam kompetencë. Kam kërkuar që të jepet informacion për kontrollet e ushtruara. E kuptoj se ka njerëz edhe në qeveri që nuk duan të bëjnë punën e tyre, por unë jam këtu për të bërë punën time. Nëse kjo histori vazhdon kështu që 7 kërkesa nuk u jepen informacion, na thoni; mos bëni më kërkesa.”

Deklarata e tij vë në pah një përplasje institucionale dhe ngre pikëpyetje mbi përgjegjshmërinë e administratës publike në raport me detyrimin për transparencë dhe llogaridhënie ndaj përfaqësuesve të zgjedhur.