“I premtoi makinë me vlerë 100 mijë paund”

Emri i modeles shqiptare Misse Beqiri është përmendur së fundmi në dokumentet që lidhen me financierin amerikan Jeffrey Epstein. Sipas gazetës britanike The Sun, Beqiri ka qenë shumë e re kur është takuar me Epstein në vitin 2011 dhe në atë kohë nuk kishte dijeni për të kaluarën e tij penale.

Raportohet se modelja është ndier e befasuar nga përfshirja e emrit të saj në këto dokumente, duke theksuar se nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe se kontakti mes tyre ka qenë i kufizuar.

“Ka qenë një modele e re që kërkonte të ndërtonte karrierën. Sot ajo ndjen keqardhje të thellë për viktimat,” citohet të ketë thënë një burim për median britanike.

Sipas raportimeve, takimi i parë mes tyre ka ndodhur në rezidencën e Epstein në Manhattan në vitin 2011, vetëm pak muaj pasi ai kishte përfunduar një dënim me burg në vitin 2008 për akuza të rënda penale. Miq të modeles pretendojnë se ajo nuk kishte dijeni për këtë fakt në atë periudhë.

Po sipas The Sun, Epstein i kishte ofruar Beqirit një udhëtim me avion privat drejt Parisit, ku ai planifikonte ta shoqëronte në një sfilatë mode. Ai gjithashtu thuhet se i kishte premtuar një makinë Mercedes me vlerë rreth 100 mijë paund.

Ata u prezantuan nga një mik i përbashkët dhe u takuan për herë të parë në vitin 2011 në shtëpinë e Epstein në Manhattan.

Nga rrënjët shqiptare drejt skenës britanike

E lindur në Shqipëri dhe e rritur në Suedi, Misse Beqiri ndërtoi karrierën e saj në Mbretërinë e Bashkuar si modele dhe figurë televizive.

Ajo u bë e njohur për publikun britanik përmes pjesëmarrjes në emisionin The Real Housewives of Cheshire, ku në qendër të vëmendjes ishte edhe martesa e saj me ish-portierin e Premier League, Anders Lindegaard.

Divorci i tyre, si dhe lidhja e mëvonshme e modeles me Jake Hall, u pasqyruan gjerësisht në mediat britanike dhe ndikuan në imazhin e saj publik.

Megjithatë, përtej titujve sensacionalë, Beqiri është nënë e dy fëmijëve dhe, sipas burimeve pranë saj, aktualisht është e fokusuar në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për familjen e saj.