Tensionet e reja në Lindjen e Mesme kanë sjellë lëkundje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve të gazit natyror në Evropë.

Kontratat referuese të gazit u rritën deri në 25%, rritja më e madhe që nga gushti i vitit 2023, pasi trafiku i cisternave në Ngushtica e Hormuzit u ngadalësua ndjeshëm gjatë fundjavës. Paralelisht me gazin, edhe çmimet e naftës pësuan rritje të dukshme në tregjet ndërkombëtare.

Në bursën e energjisë në Amsterdam, kontratat e ardhshme holandeze – që shërbejnë si pikë referimi për tregun evropian të gazit – u tregtuan rreth 20% më lart, duke arritur në 38.44 euro për megavat-orë në orët e para të mëngjesit.

Sipas raportimeve të Bloomberg, kjo situatë konsiderohet tronditja më serioze për tregun e gazit në Evropë që nga fillimi i luftës në Ukraina, pas pushtimit të saj nga Rusia katër vite më parë. Ky konflikt ndryshoi ndjeshëm rrjedhat globale të energjisë dhe mënyrën se si furnizohet kontinenti evropian.

Edhe pse pjesa më e madhe e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Lindja e Mesme zakonisht shkon drejt tregjeve aziatike, çdo pengesë në transport do të rrisë konkurrencën për furnizime alternative në nivel global. Si pasojë, çmimet pritet të rriten jo vetëm në Azi, por edhe në Evropë.

Ekspertët paralajmërojnë se Evropa është veçanërisht e ndjeshme ndaj kësaj situate. Rezervat e gazit janë aktualisht në nivele të ulëta dhe vendet evropiane duhet të importojnë sasi të mëdha LNG gjatë verës për të mbushur depozitat për sezonin e dimrit.

Sipas një analize të Goldman Sachs, nëse transporti i energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit do të ndërpritej për rreth një muaj, çmimet e gazit në Evropë mund të dyfishoheshin, duke krijuar presion të ri mbi ekonomitë dhe konsumatorët në të gjithë kontinentin.