“Vajza më tregoi gjithçka pas operacionit, i aplikoi kremin dhe tentoi ta puthte”

Pas arrestimit të kirurgut 72-vjeçar N. Nunka në Korçë, ka reaguar publikisht babai i 21-vjeçares që e ka denoncuar për ngacmim seksual gjatë trajtimit mjekësor.

Ai rrëfen se kishte ardhur nga Gjermania për disa ditë pushimi me familjen, por gjithçka mori një tjetër rrjedhë kur vajza e tij shfaqi probleme shëndetësore. Fillimisht, ajo pati dhimbje të forta barku dhe të vjella, çka e detyroi familjen ta dërgonte për kontroll në spital.

Sipas tij, pas analizave dhe ekzaminimeve, mjekët vendosën se ishte e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale për apandesit, e cila u krye një ditë më pas. Ai shprehet se operacioni rezultoi i suksesshëm, por situata ndryshoi kur vajza, pas ndërhyrjes, i tregoi për veprime të papërshtatshme që pretendon se i kishte bërë mjeku gjatë trajtimit.

“Kam bërë mbrëmë një denoncim për vajzën time për ngacmim seksual. Kam dy javë që kam ardhur nga Gjermania. Pas dy ditëve çupa mu ankua nga stomaku, kishte dhe të vjella. Vajta në farmaci i mora ca ilaçe, nga ilaçet s’pati përmirësim dhe mamaja ime e çoi në spital. Më merr në telefon dhe më thotë hajde se çupa është sëmurë. Shkoj në spital, i bëjnë analizat dhe eko, ekoja i doli mirë. Tha doktori që eko s’tregon mirë, analizat e nxjerrin që ka apandesit. Doktori ishte Niko Nunka. Për shkak se çupa kishte pirë ujë ato ditë, e lanë operacionin për nesër në mëngjes. E bënë operacionin dhe doli mirë, e lanë në dhomë por doktori tha që ka infeksion dhe do e mjekojë dhe për këtë gjë. Më tha që do ta mjekoj në prezencë të mamasë tënde, por ai kishte bërë veprime të tjera që vajza mi tregoi më vonë”, rrëfen ai.

Babai pretendon se vajza i ka treguar se gjatë qëndrimit në spital, mjeku ka pasur sjellje të papërshtatshme fizike ndaj saj, duke tejkaluar çdo kufi të etikës profesionale.

“Çupa më tha që më vinte dorën, më aplikonte kremin, madje kishte tentuar që edhe ta puthte çupën. Ja kishte zënë fytyrën. Kur ja aplikonte kremin i thoshte mamasë time që mos shiko këtej. Është një rast i përsëritur më thotë vajza, por s’më thoshte se kishte hall mos bëja sherr. Ai afrohej, unë e largoja. Vetëm ditën e fundit e mora vesh unë. Lajmërova direkt policinë. Ne erdhëm dy javë për pushime dhe më ndodhi kjo gjë këtu. Vajza është e shqetësuar, s’ja priste mendja të ndodhte kjo gjë. Kemi vite që jetojmë jashtë shtetit dhe s’na e priste mendja të kishte akoma në 2026 pedofila”, vijon ai.

Ai shton se kishte paguar mjekun për trajtimin dhe kërkon që rasti të hetohet në thellësi, duke vënë theksin te nevoja për drejtësi.

“Unë kërkoj drejtësi sepse më thanë që këtu s’ka drejtësi. Edhe në spital që isha, pa lekë në dorë s’të ndihmonte njeri. Po e them hapur që i kam dhënë edhe lek në dorë doktorit. Kërkoj drejtësi, të marrë maksimumin sepse ai person ka pasur dhe raste të tjera si këto. Unë kam pasur besim të plotë te ai sepse e pashë burrë të moshuar, me eksperiencë. Vajza është në shtëpi, kam edhe një javë lejë dhe do largohem por pa e sqaruar këtë çështje nuk e lë. Do gjej avokat andej për çështjen dhe se lë në asnjë mënyrë. Kur bënte këto gjëra s’ka pasur njerëz të tjerë në dhomë, vetëm ajo dhe nëna ime”, u shpreh ai.

Sipas të dhënave paraprake, 21-vjeçarja ishte paraqitur në urgjencën e spitalit të Korçës për shkak të simptomave të forta abdominale dhe të vjellave. Pas ekzaminimeve, mjekët vendosën kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale për apandesit.

Në kallëzimin e saj, e reja pretendon se kirurgu e ka prekur në zona intime, duke e justifikuar veprimin si pjesë të kontrollit mjekësor. Aktualisht, ajo ndodhet ende nën kujdes mjekësor, ndërsa policia ka marrë dëshminë e saj dhe ka proceduar me arrestimin e mjekut.

Në vijim, pritet që 72-vjeçari të dalë para gjykatës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tij.