Iinceneratori që kushtoi  26 milionë euro për skrap 

Administratori i kompanisë publike Eco-Elb, Leli Kaja, ka pranuar zyrtarisht se inceneratori i Elbasanit nuk do të vihet më në punë. Në një interpelancë me Këshillin Bashkiak më 29 korrik, ai e cilësoi situatën si “emergjencë mjedisore”, ndërsa paralajmëroi rreziqe të reja për qytetarët.

Një mal me plehra dhe një premtim i djegur

  • Në landfillin e Elbasanit derdhen çdo ditë mbi 150 ton mbetje.
  • Mali i plehrave ka arritur të shembë disa skarpata anësore të venddepozitimit.
  • “Duhet ndërtuar një landfill i ri”, – tha Kaja, duke akuzuar këshilltarët bashkiakë se nuk kanë ndihmuar për zgjidhje.

Problemet u theksuan pas zjarrit të fillim korrikut, që ekspozoi edhe një herë dështimin total të projektit qeveritar me inceneratorët.

Një impiant i shtrenjtë… dhe i pajetë

Inceneratori i Elbasanit – më i vogli mes tre impianteve të skemës së famshme PPP të qeverisë – i kushtoi shtetit 26 milionë euro. Qeveria e reklamoi si zgjidhje moderne, por impianti ka funksionuar me ndërprerje dhe prej vitesh është jashtë pune për shkak defektesh.

Në vitin 2021, zona kaloi në administrim publik te Eco-Elb përmes një kontrate qiraje nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Por edhe kompania publike nuk arriti ta vërë në punë impiantin – dhe mbetjet vazhdojnë të grumbullohen pranë tij.

Efekti zinxhir i kontratave korruptive

Kriza e sotme është pasojë direkte e aferës së inceneratorëve, që u kushtoi taksapaguesve mbi 150 milionë euro për impiante me probleme ose të pambyllura. Në Elbasan, zgjidhja e vetme tani është ndërtimi i një landfilli të ri ose zgjerimi i venddepozitimit ekzistues.

Kryebashkiaku Gledian Llatja deklaroi se bashkia nuk ka kapacitet financiar për një landfill të ri dhe i ka “shtrirë dorën qeverisë”.

“E kemi të pamundur me buxhetin tonë dhe kërkojmë ndihmën e qeverisë. Jemi gati të shohim vende të tjera për landfillin e ri”, tha Llatja.

Alarmi i këshilltarëve: 250 mijë ton mbetje për një kapacitet 25 mijë ton

  • Zamir Muzhaqi (opozita): “Si mund të mos ju alarmojnë 250 mijë tonë mbetje, kur kapaciteti i landfillit është për 25 mijë ton?!”
  • Bukurosh Stafa (PS): “Ne si këshill nuk kemi pasur dorë në çështjen e inceneratorëve. Pas një muaji, bashkia duhet të sjellë propozim konkret për landfillin e ri.”