Një “stop” europian ndaj korrupsionit të qeverisë Rama
Gati dy vjet pas hetimit që tronditi sistemin e fondeve bujqësore në Shqipëri, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka dalë sërish me gjetje të qarta: fondet e programit IPARD janë shpërdoruar dhe Shqipëria duhet të marrë masa konkrete për të rifituar besimin e Brukselit.
Në një intervistë ekskluzive për “Monitor”, Salla Saastamoinen drejtoreshë në detyrë e OLAF-it, konfirmon se hetimi zbuloi “shkelje të qarta” në mënyrën si u përdorën fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin rural.
“Gjetjet tona tregojnë për parregullsi që mund të arrijnë në rreth 33 milionë euro. Komisioni Evropian ka vendosur të ngrijë përkohësisht 112 milionë euro fonde IPARD, derisa Shqipëria të marrë masa të mjaftueshme korrigjuese,” – thekson Saastamoinen.
AZHBR në qendër të dyshimeve
Hetimi i OLAF-it, i nisur pas raportimeve për abuzime në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka zbuluar skema të dyshimta përzgjedhjesh projektesh, fryrje kostosh dhe përfitime të padrejta nga kompani me lidhje politike.
Saastamoinen sqaron se roli i OLAF-it është hetimor dhe rekomandues, ndërsa ndëshkimi penal mbetet përgjegjësi e drejtësisë shqiptare.
“Ne ndjekim paratë e Unionit – dhe i ndjekim edhe jashtë tij, në vendet kandidate. Hetuam dhe gjetëm prova. Por zbatimi penal i këtyre gjetjeve është në dorë të institucioneve shqiptare.”
Shqipëria në “provë” përpara BE-së
Në Bruksel, durimi duket se po shteron. Komisioni Evropian ka ngrirë fondet dhe kërkon reforma reale në menaxhimin e fondeve, transparencë në përzgjedhjen e projekteve dhe mekanizma të fortë kontrolli.
Sipas Saastamoinen, bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është përmirësuar, por ende jo në nivelin që kërkon BE-ja:
“Shqipëria ka miratuar Strategjinë Kombëtare Kundër Mashtrimit një hap i rëndësishëm, por strategjitë mbeten letra nëse nuk zbatohen. Komisioni pret masa konkrete dhe funksionale.”
Teknologjia, armë kundër mashtrimit
Një element i ri që OLAF po nxit është përdorimi i Inteligjencës Artificiale për monitorimin e fondeve dhe kontratave.
“Mashtruesit përdorin teknologjinë më moderne – edhe ne duhet ta përdorim. Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë për të zbuluar modele të fryrjes së çmimeve apo mashtrime me importet,” – thekson Saastamoinen, duke përmendur rastet e suksesshme në ndjekjen e të ardhurave doganore dhe mallrave të falsifikuara.
Në këtë kuadër, ajo përmend bashkëpunimin e mundshëm me Ministrinë e Inteligjencës Artificiale të Shqipërisë dhe shërbimet doganore për ndalimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme.
Rreziku i fondeve të “gjelbra”
OLAF paralajmëron gjithashtu se në fazën e ardhshme të financimeve, sidomos në projektet e tranzicionit klimatik dhe energjive të rinovueshme, rreziku i abuzimit do të jetë edhe më i madh.
“Kur përfshihen shuma të mëdha, lind tundimi për mashtrim. Shqipëria duhet të garantojë që çdo projekt ‘i gjelbër’ të jetë i pastër edhe financiarisht,” – thotë Saastamoinen.
Manipulimi i prokurimeve, faturat e fryra dhe përdorimi i ndërmjetësve fiktivë janë disa nga format e abuzimeve që OLAF synon të parandalojë.
Apeli për qytetarët dhe gazetarët
Në fund, zyrtarja europiane lëshon një thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë: të raportojnë çdo rast të dyshuar abuzimi me fondet e BE-së.
“Gazetaria investigative është thelbësore. Publiku duhet të dijë që ekziston një platformë raportimi anonime tek OLAF. Çdo sinjal, çdo informacion mund të ndihmojë në mbrojtjen e parave të taksapaguesve europianë dhe shqiptarë.”
Hetimet e OLAF-it janë një test i rëndësishëm për Shqipërinë. Jo vetëm për mënyrën si trajton paratë e Brukselit, por për seriozitetin e institucioneve përballë korrupsionit të rrënjosur.
Nëse qeveria vazhdon me masa kozmetike, jo vetëm fondet IPARD, por edhe rruga drejt BE-së mund të mbeten të ngrira sepse paratë nuk shkojnë kurrë aty ku duhen: në fshat, tek fermerët, tek zhvillimi i vërtetë rural.






