“500 euro bonus cash në dorë nëse arrin objektivin”
Një dëshmi e fortë nga brenda botës së call center-ave në Shqipëri ka hedhur dritë mbi mënyrën se si funksionojnë këto struktura, të cilat shpesh janë vënë në shënjestër të hetimeve nga autoritetet për skema mashtrimi ndaj qytetarëve, kryesisht në vendet europiane.
Një ish-operator ka rrëfyer në detaje mekanizmat e brendshëm të këtij aktiviteti, duke zbuluar se përfitimet financiare për punonjësit mund të jenë shumë të larta, sidomos përmes skemave të bonuseve.
Sipas tij, në fillimet e këtij sektori në Shqipëri, puna në call center lidhej kryesisht me shërbime telefonike dhe shitje të produkteve si “luce-gas”. Por më pas, tregu ndryshoi ndjeshëm me hyrjen e platformave të investimeve në bursë, që sollën edhe fitime shumë më të mëdha për operatorët.
Ai theksoi se pagat mujore në atë periudhë varionin nga 600 mijë deri në 700 mijë lekë të vjetra, por ajo që e bënte këtë punë shumë më fitimprurëse ishin bonuset, të cilat në disa raste jepeshin në mënyrë të menjëhershme dhe në para cash.
Sipas dëshmisë, operatorët stimulohet për të siguruar depozita nga klientët, dhe nëse arrijnë një nivel të caktuar, përfitojnë shpërblime të konsiderueshme.
“Këtë punë e kam nisur në 2014 duke punuar në call center-at e atëhershëm që ishin telefoni dhe luce-gas. Ngjitur u hap një call center për investimet në burse që ishte diçka e re për ne dhe ku pagesat ishin marramendëse. Operatori në atë kohë merrte diku tek 600 mijë lekë në muaj, 700 maksimumi.
Në videon e shpërndarë nga policia shihet që në një tavolinë ka euro në tavolinën e supervizorit. Ai simulon një bonus ditor. Bonuset janë ditore, mujore, ose javore në bazë të skemës që ngrihet nga kompania. Nëse unë bëj një depozitë për shembull 10 mijë euro nga klientë të ndryshëm, unë marr 500 euro pagesë në dorë.
Nuk kishim frikë nga policia se kishim mbrojtje. Ne kemi bërë trajnime në fillim, si do të kapnim “peshqit”.
Shuma më e madhe që kemi kapur, ka qenë 520 mijë euro, me një telefonatë. Përflitej që një drejtor policie paguhej 5 mijë euro në muaj.
Një ndër trajnuesit kishte një shprehje të tij që kishte një listë me klientët potencialë dhe i drejtohej monitorit e thonte: Ja ku janë paratë, merrini, kush është i aftë t’i marrë”, shprehet ish-operatori një interviste në emisionin “Oponencë”.
Ky rrëfim vjen në një kohë kur strukturat e drejtësisë kanë intensifikuar operacionet për goditjen e këtyre skemave, të cilat konsiderohen si një nga format më të përhapura të mashtrimit financiar ndërkombëtar.






