Nga të dhënat e para dhe pamjet e mbërritura pranë redaksisë së Publik.al, bëhet e ditur se shënjestra e grabitësve ka qenë argjendaria “Roy”. Në biznes kanë mësyrë dy persona të rinj, të cilët mbanin në duar armë zjarri të llojit kallashnikov, duke kërcënuar stafin për të marrë paratë dhe xhevahiret.

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se gjithçka ka ndodhur në dritën e diellit, në një orar ku lëvizjet e njerëzve në rrugë janë të shumta. Të përballur papritur me personat e maskuar dhe të armatosur rëndë, dhjetëra kalimtarë janë shpërndarë me vrap në panik e sipër, me frikën e ndonjë shkëmbimi zjarri.

Fati i mirë në këtë ngjarje është se deri në këto momente nuk raportohet për asnjë qytetar të lënduar. Forcat e rendit kanë mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Pritet njoftimi zyrtar i Policisë për të dhënë më shumë detaje rreth vlerës së grabitur dhe rrugës nga janë larguar keqbërësit.