Ngjitet dhe kërcënon nga maja e Kullës pranë ish-Uzinës: Dy muaj pa marrë rrogat

Një ngjarje e rëndë po zhvillohet në këto momente në Kuçovë, ku një punonjëse e pastrimit ka hipur në majë të kullës pranë ish-Uzinës së qytetit dhe dyshohet se po tenton t’i japë fund jetës.

Pamjet nga vendi i ngjarjes janë shpërndarë në rrjetet sociale nga ish-deputeti Lefter Maliqi, i cili ka reaguar publikisht për situatën, duke ngritur akuza të forta ndaj drejtuesve të Bashkisë së Kuçovës.

Sipas reagimit të tij, punonjësja dyshohet se ka ndërmarrë këtë veprim ekstrem për shkak të mosmarrjes së pagave prej rreth dy muajsh dhe problemeve të përsëritura me pagesat. Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Maliqi akuzon kryetarin e bashkisë për abuzime dhe për situatën e krijuar me punonjësit e pastrimit.

“E rëndë! Po ndodh tani në Kuçovë! Punonjësja e pastrimit ka hipur në majë të kullës tek ish-Uzina dhe po tenton të hidhet pasi prej dy muajsh nuk kanë marrë pagat. Raste të përsëritura dhe pushime nga puna për ata që kërkojnë të drejtat e tyre”, shprehet ai në reagimin e publikuar.

Ndërkohë, në vendngjarje pritet ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës dhe forcave të policisë për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur një tragjedi të mundshme. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lokale apo policia mbi rrethanat e plota të ngjarjes.