Opinion është përfshirë mbrëmjen e sotme nga një incident i rëndë, pasi debati në studio degradoi në përplasje fizike mes gazetarit kosovar Berat Buzhala dhe analistit Albatros Rexha.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjete sociale, situata doli jashtë kontrollit teksa në panel po diskutohej për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Debati verbal mes të ftuarve u ashpërsua, duke kaluar nga akuza dhe tone të larta në përplasje fizike.
Në një moment, Buzhala është ngritur nga vendi dhe ka sulmuar Rexhën, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e moderatorit dhe stafit të emisionit shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Emisioni u ndërpre për pak minuta, ndërsa transmetimi vijoi më pas me tone më të qeta.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, sidomos për faktin se debati kishte në qendër një çështje tepër të ndjeshme për Kosovën dhe opinionin shqiptar, siç është procesi ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga drejtuesit e emisionit apo nga vetë protagonistët e përplasjes.
Incidenti rikthen në vëmendje tensionet e forta që shpesh shoqërojnë debatet televizive kur trajtohen tema me ngarkesë të lartë politike dhe historike.






