Një tjetër skandal në shëndetësinë shqiptare po ndodh në Spitalin e Pogradecit, ku pacientët janë të detyruar të presin me orë të tëra në korridore, ndërsa mjekët mungojnë në detyrë. Një denoncim nga qytetarët tregon se sot, edhe pse ora kishte shkuar 10:00 e paradites, mjekët e repartit të gastro-entereologjisë dhe diabetologjisë nuk ishin shfaqur ende në vendin e punës.
Pamjet e dërguara në redaksi tregojnë korridore të mbushura me pacientë të sëmurë, shumica me viroza, që presin pa shpresë, ndërkohë që dhomat e mjekëve janë bosh.
Një qytetar i revoltuar ka denoncuar këtë papërgjegjshmëri:
“Përshëndetje Publik Media, ora 10:00 dhe doktoresha e gastro-entereologjisë nuk ka ardhur akoma. Përditë e njëjta gjë, radhë të gjata të të sëmurëve, ndërsa dhoma e mjekëve bosh. As mjekja e diabetit nuk ka ardhur. Asistentja e saj thotë se nuk e di kur vjen.”
Situata është bërë e zakonshme në këtë spital, duke treguar qartë degradimin e shërbimit shëndetësor. Mungesa e disiplinës dhe e përgjegjshmërisë nga ana e disa mjekëve e ka kthyer këtë problem në një fenomen të përditshëm, ndërsa askush nga drejtuesit nuk merr masa.
Pacientët e lodhur nga pritja dhe mungesa e informacionit i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë dhe të ndëshkojnë neglizhencën e personelit mjekësor. Ata kujtojnë se spitalet nuk janë pronë private e mjekëve, por institucione publike që duhet t’u shërbejnë qytetarëve.
Nëse kjo situatë vijon, qytetarët paralajmërojnë se do të organizojnë protesta dhe do të kërkojnë shkarkimin e drejtuesve të spitalit për këtë neglizhencë kriminale ndaj jetës dhe shëndetit të tyre.






