Kryeministri: Shqipëria ka avancuar krahasuar me vendet e BE-së

Kryeministri Edi Rama, së bashku me negociatoren për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik” dhe drejtoreshën e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, dolën sot në një konferencë për media për të bërë një pasqyrë të ecurisë së këtij kapitulli kyç në procesin e integrimit europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama iu referua një raporti të Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e Bashkimit Europian, duke theksuar se disa nga problematikat që shpesh i atribuohen Shqipërisë janë në fakt të pranishme edhe në vetë vendet anëtare.

“Janë disa fjali që mund të tingëllojnë sikur fliten për Shqipërinë, por në fakt janë fjali të nxjerra nga një raport i detajuar i Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e BE-së lidhur me prokurimet publike. Raporti flet për një nivel konkurrence për kontratat publike më të ulët gjatë viteve të fundit. Flitet për mungesë ndërgjegjësimi lidhur me faktin që konkurrenca është parakusht për vlerën e parasë në prokurimet publike. Flet për tregues kyç për matjen e konkurrencës që mbeten të pakënaqshme në shumicën e shteteve anëtare, me mbi 40% të garave me një ofertues për një periudhë 10-vjeçare. Flet për mungesë konkurrence që ndikon në çmime, kosto dhe kohëzgjatje të procedurave, të rritura me 50%. Shkalla e publikimit dhe pjesëmarrja mbeten në nivele të pakënaqshme. Këto janë disa prej konkluzioneve. Nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët thelbësorë që përcakton BE-ja për konkurrueshmërinë, nëse në mesatare kontratat me një ofertues përbëjnë 32.3% të kontratave në vendet e BE-së, për Shqipërinë ato janë 23.5%. Edhe në numrin e ofertuesve për procedurë, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues për procedurë në mesataren e BE-së, Shqipëria është në 3.7 ofertues mesatarisht. Më tutje, në Shqipërinë e vitit 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur me fitues dhe me 1 ofertues është 12%, ndërsa mesatarja e BE-së është 14%. Shqipëria është në një fazë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe të pozicionimit në tryezën e negociatave në BE.”

Në vijim, kryeministri theksoi se vendi ka bërë përparim të dukshëm në kuadër të Kapitullit 5 të negociatave me Bashkimin Europian, duke nënvizuar se në disa tregues Shqipëria paraqitet mbi mesataren e vendeve anëtare.

Megjithatë, përtej statistikave zyrtare, debati mbi prokurimet publike në Shqipëri mbetet i hapur dhe kompleks. Për vite me radhë, një pjesë e konsiderueshme e aferave më të mëdha financiare në vend kanë pasur pikënisje pikërisht në tenderat publikë, nga koncesionet dhe partneritetet publike-private, deri te projektet në infrastrukturë, shëndetësi dhe teknologji.

Raportet e Komisioni Europian kanë evidentuar vazhdimisht shqetësime që lidhen me përdorimin e procedurave jo konkurruese, mungesën e transparencës dhe përqendrimin e kontratave tek një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë. Në të njëjtën linjë, edhe vlerësimet e SIGMA kanë theksuar dobësitë në konkurrencën reale dhe në kontrollin pas dhënies së kontratave.

Në praktikë, jo pak procedura prokurimi janë shoqëruar me akuza për gara formale, kritere të përshtatura për operatorë të caktuar dhe përqendrim fondesh tek kompani me lidhje të dyshuara me pushtetin. Edhe SPAK ka hetuar një sërë çështjesh të lidhura me tendera publikë, përfshirë koncesione, inceneratorë dhe projekte të mëdha infrastrukturore.

Një nga pikat më të debatueshme mbetet përdorimi i gjerë i kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike-private, të cilat shpesh janë konsideruar nga ekspertët si zona me risk të lartë për abuzim me fondet publike.

Në këtë kontekst, deklaratat optimiste të qeverisë për përparimin në prokurimet publike përballen me skepticizmin e një pjese të opinionit publik, i cili i lidh skandalet më të mëdha financiare të viteve të fundit pikërisht me këtë sektor.

Në fund, dilema mbetet: nëse treguesit formalë janë në përmirësim dhe në disa raste mbi mesataren europiane, a reflekton kjo realisht një sistem më transparent dhe konkurrues, apo sfidat strukturore vijojnë të mbeten të pazgjidhura?