Edi Rama i është rikthyer përplasjes verbale me “Reporterët pa Kufij”, fiks katër vite pas sulmeve të tij të para ndaj kësaj organizate. Nëse në vitin 2022 i quante “fantazistë”, sot, kur Shqipëria ka rënë në vendin e 83-të, kryeministri ka nisur një tjetër kryqëzatë. Por, këtë herë, argumentet e tij duket se anashkalojnë thelbin e problemit.

Arsyeja e parë e këtij nervozizmi është Brukseli. Raporti i “Reporterëve” peshon rëndë në rrugën e integrimit, ku liria e medias është shtyllë kryesore. Ndërsa ne renditemi të 83-tët, Mali i Zi na paraprin me plot 40 vende. Arsyeja e dytë është radiografia që raporti i bën Shqipërisë: një sistem mediatik i përqendruar në duart e pesë familjeve, të cilat ushqehen me leje ndërtimi dhe licenca publike në këmbim të censurës.

Në vend që të merrej me këtë kapje të medias, Rama zgjodhi “cic-micet” statistikore. Ai përdori një raport të SIGMA-s që vlerësonte zyrën e tij të informacionit dhe shifrat e një start-up-i që pretendon se opozita ka më shumë hapësirë televizive se qeveria. Përgjigjja e organizatës ishte e prerë: “Ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë.”

Ajo që kryeministri nuk përmend është realiteti që publiku e sheh çdo ditë: mediat e mëdha që paguhen me paratë e korrupsionit. Nga reklamat fiktive të inceneratorëve, te tenderat e ministrive që “dorovisin” ekranet pro-qeveritare. Ky sistem “shkopi dhe karrote” nuk është i ri. Rama ka tentuar edhe diplomacinë personale për të zbutur raportet.

Në vitin 2023, ai takoi personalisht ish-sekretarin e organizatës, duke propozuar projekte të përbashkëta me financim nga BE-ja. Skema ishte e qartë: të shfaqej si viktimë e oligarkëve për të manipuluar renditjen. Projekti dështoi pas rezistencës së gazetarëve shqiptarë dhe ndarjes nga jeta të zyrtarit të lartë Cristophe Deloire.

Sot, pa rrugëdalje diplomatike, Rama i është rikthyer gjuhës së vjetër, duke mohuar një realitet që e sheh gjithë bota.