Hije dyshimi mbi SPAK

Një reagim publik i avokatit Arben Llangozi ka rikthyer në vëmendje debatin mbi funksionimin e drejtësisë dhe mënyrën se si po trajtohen disa çështje të ndjeshme nga SPAK. Përmes një shkrimi kritik, Llangozi shpreh dyshime mbi ecurinë e hetimeve që lidhen me një dosje ku përmendet edhe emri i ministres Belinda Balluku, si dhe mbi mungesën e transparencës për disa tendera nën hetim.

Sipas avokatit, kjo dosje nuk mund të konsiderohet një lajm kalimtar, pasi ngre pikëpyetje serioze mbi barazinë përpara ligjit dhe përgjegjësinë politike në nivelet më të larta të qeverisjes. Ai thekson se, kur një ministre përfshihet në akuza apo hetime, përgjegjësia nuk mbetet individuale, por shtrihet përgjatë gjithë zinxhirit të vendimmarrjes, deri te kryeministri.

Në shkrim përmendet edhe fakti se SPAK ka ngritur akuza dhe dyshime ndaj disa oligarkëve për përfitime të paligjshme nga fondet publike. Mes emrave të përmendur është edhe biznesmeni Pëllumb Salillari, për të cilin pretendohet se ka qenë i përfshirë në korrupsion aktiv në procedura tenderimi përmes kompanisë “Salillari shpk”.

Llangozi ngre shqetësimin se, sipas dosjes së SPAK, bëhet fjalë për 7 tendera nën hetim, të cilët dyshohet se janë dhënë në mënyrë korruptive. Ai kërkon sqarime të qarta nga Prokuroria e Posaçme mbi natyrën e këtyre tenderave, elementët e dyshimit dhe fazën ku ndodhen hetimet.

Në fund të reagimit, avokati e lidh këtë situatë me një ndjesi më të gjerë zhgënjimi shoqëror, duke e konsideruar si pasqyrim të mungesës së besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë.

Më poshtë, postimi i plotë i avokatit Arben Llangozi:

Dosja që lidhet me Belinda Ballukun nuk mund të trajtohet si një lajm i radhës që shuhet me zhurmën e ditës, sepse kjo çështje ka hapur një dyshim të madh publik, a po funksionon drejtësia njësoj për të gjithë, apo po kursehet kur preken emrat e fortë?

Kur një ministre del në qendër të akuzave dhe hetimeve, përgjegjësia politike nuk mbyllet te një individ; ajo ngjitet lart, te zinxhiri i vendimmarrjes dhe te kryeministri Edi Rama, i cili është koka e korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, spak ka provuar akuza edhe për oligark të ndryshëm që dyshohet se kanë përfituar tendera dhe fonde publike përmes ndikimit, lidhjeve dhe praktikave të paligjshme.

Mes emrave të përmendur në dosje është edhe Pëllumb Salillari, për të cilin janë mbledhur prova për përfshirje në korrupsion aktiv në procedura tenderimi. Këto nuk janë “fjalë kafeneje” por janë pretendime të bazuara në prova. Për oligarkun Pëllumb Salillari, pretendohet se përmes kompanisë “Salillari shpk” ka përfituar në vitet e fundit kontrata të mëdha nga fondet publike, të cilat janë përfituar në mënyrë korruptive.

Sipas asaj që del nga dosja e SPAK, janë 7 tendera nën hetim ku dyshohet se kanë qenë korruptivë dhe që lidhen me përfitime të mundshme nga kompania/rrjeti i Pëllumb Salillarit, këto dyshime, të konfirmuara nga hetimi dhe provat, do të nënkuptonin një skemë të përsëritur të abuzimit me fondet publike, ndaj pritet që SPAK të sqarojë në mënyrë të qartë se cilët janë këta tendera, çfarë elementësh dyshimi ka për secilin dhe në ç’fazë ndodhen veprimet hetimore.

Vetëm gjatë 5 viteve të fundit ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 180 milionë euro, përmes kompanisë së ndërtimit Salillari shpk, me tendera dhe kontrata korruptive, siç edhe rezulton në përgjimet e SPAK-ut.

Videoja që po qarkullon, ku një grua shpërthen në një klithmë të dëshpëruar, nuk është thjesht emocion, është pasqyra e një populli që ndjen se sistemi i ka mbyllur derën dhe i ka lënë vetëm zërin.