A po mbyllen laboratorët në mes të muajit dhe jo në datë 20?

Pse po lihet shëndeti i pacientëve në “errësirë” para datës 15?

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka pranuar për herë të parë pak ditë më parë publikisht një problem që pacientët e kanë denoncuar prej kohësh: mungesën e analizave laboratorike në fund të çdo muaji në spitalet publike. Por ajo që paraqitet si një ngërç pas datës 20, sipas burimeve dhe dëshmive në terren nga vetë pacientët, situata rezulton të jetë shumë më e rëndë.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Evis Sala deklaroi se situata lidhet me planifikimin mbi bazën e të dhënave dhe premtoi zgjidhje brenda vitit. Megjithatë, realiteti i raportuar nga pacientët tregon një tjetër tablo.

Sipas burimeve të publik.al dhe denoncimeve të shumta nga pacientë që ndjekin trajtime të vazhdueshme permanente, ndërprerja faktike e analizave nuk nis më në datën 20, por shumë më herët. Në disa raste, pacientëve u është komunikuar që prej të paktën dy muajsh që të paraqiten për analizat para datës 15 të çdo muaji, përndryshe rrezikojnë të mos marrin shërbimin, trajtimin e domosdoshëm dhe të nevojshëm per ta.

Kjo situatë godet drejtpërdrejt pacientët kronikë dhe ata që janë në terapi të përhershme, për të cilët analizat nuk janë një procedurë rutinë, por kusht jetik për vijimin e trajtimit.

Prej vitesh, në dhjetëditëshin e fundit të muajit, shërbimi laboratorik reduktohet ndjeshëm për shkak të arritjes së tavanit buxhetor mujor të koncesionarit. Në këto kushte, analizat kryhen vetëm për rastet urgjente, duke lënë jashtë një kategori të gjerë pacientësh.

Ky shërbim ofrohet që nga viti 2019 nga një konsorcium privat në kuadër të koncesionit laboratorik, një kontratë me vlerë rreth 13 miliardë lekë dhe afat deri në vitin 2028. Sipas marrëveshjes, kur arrihet 75% e buxhetit mujor, nis kufizimi i shërbimit, ndërsa në 100% mbulohen vetëm urgjencat.

Nga ana tjetër, ministria këmbëngul se nuk ka ndërprerje të shërbimit dhe se ekzaminimet, veçanërisht ato urgjente, vijojnë normalisht.

Por diferenca mes deklaratave zyrtare dhe realitetit të raportuar nga pacientët ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin real të sistemit.

Në thelb, problemi nuk është vetëm një çështje planifikimi, por një krizë e heshtur që po prek çdo muaj mijëra pacientë, të cilët detyrohen të zgjedhin mes pritjes, pagesës private apo rrezikimit të shëndetit të tyre.