Me 28 dhjetor 2025 VV nuk i fitoi te gjitha — fitoi 56 nga 120 uleset e Kuvendit.
…dhe kjo, në gjuhën e shkencave politike quhet qeverisje pluraliste. Qeverisje e shumicës bëhet vetëm me 9 votat e deputetëve të pakicave, por assesi si të vetëm. Pra, që të jemi brutalisht të qartë për atë që ndodhi; LVV fitoi shumicën relative në zgjedhjet e 28 dhjetorit prej 51%, fitore e cila ia siguroi 46% të vendeve në Kuvend (ose 56 nga 120 uleset e Kuvendit). Dhe tani, e njejta pretendon të drejtën të kontrollojë njëkohësisht legjislativin, ekzekutivin dhe presidencën — pa kompromis, pa koalicion, pa asnjë lëshim. Dhe si justifikim, thirret në “vullnetin e popullit”.
Kjo është e pavertete. Dhe është një e pavertete e rrezikshme.
Shifrat nuk gënjejnë — edhe kur politikanët gënjejnë
46% përfaqësim në Kuvend nuk është shumicë. Kjo nuk është çështje opinioni politik — është aritmetikë e thjeshtë. Kur i shton kësaj edhe qytetarët që votuan për parti të tjera, si dhe pjesën e madhe të elektoratit që nuk votoi fare, përfundimi është i pakëndshëm: afërsisht tre të katërtat e njerëzve që kjo qeveri pretendon se i përfaqëson, nuk e kanë zgjedhur atë. Ku mbeti tani “vullneti i popullit”?
Të marrësh më pas nën kontroll çdo institucion të shtetit; çdo emërim, çdo ministri, çdo post kushtetues, mbi bazën e këtij rezultati nuk është qeverisje demokratike. Është një operacion grabitës i kryer në emër të popullit.
Si e mban gjallë kjo pakicë parlamentare prej 46% iluzionin e legjitimitetit të plotë? Përmes gjuhës dhe retorikës nxitëse. Gjuha e cila kundërshtarët i shpall tradhtarë. Gjykatat që kundërshtojnë etiketohen si armiq e opozita trajtohet si pengesë që duhet shkatërruar, jo si zë që duhet dëgjuar.
Kjo retorikë nuk është vetëm veprim politik — është strategji. Synon të delegjitimojë çdo mekanizëm kontrolli mbi pushtetin, para se këta mekanizma të mund të veprojnë. Diskredito arbitrin përpara se të fishkëllehet faulli. Kështu vdesin demokracitë, jo me grusht shteti, jo me tanke në rrugë, por në konferenca për shtyp, në foltore të Kuvendit, në shkatërrimin e ngadaltë e të qëllimshëm të institucioneve që garantojnë llogaridhënie.
Sepse demokracia kurrë nuk ka nënkuptuar që 51% mund të bëjnë çfarë të duan me 49% të tjerët. Kjo nuk është liri e as demokraci, por është sundim turme. Demokracia kushtetuese ekziston pikërisht sepse hartuesit e Kushtetutës e kanë kuptuar këtë rrezik: që shumica mund të shtypë, të përjashtojnë, të heshtë, secilin e secilën në emër të votës së popullit. “Juve nuk ju ka votu populli” është përkufizim i këtij mentalitete iliberal të stilit te Viktor Orbanit në Hungari.
Të tillët duhet kuptuar një herë e mirë se të drejtat e njeriut nuk janë dhurata të shumicës. Ato ekzistojnë pikërisht për të mbrojtur qytetarët nga shumica. Gjykatat, institucionet e pavarura dhe kufizimet kushtetuese nuk janë pengesa burokratike — janë arkitektura e një shoqërie të lirë. Rrëzoji në emër të “vullnetit të popullit”, dhe ajo që mbetet nuk është më vullneti i popullit. Është oreksi i një grupi të vetëm, të pakontrolluar dhe të pangopur.
Në shoqëri si ajo e Kosoves që ende ndërton besimin mes komuniteteve dhe grupeve të tjera të interesit, qeverisja e tipit “fituesi i zgjedhjeve i merr të gjithat” nuk është thjesht politikë e keqe, është akt agresioni ndaj çdo qytetari që nuk ka votuar për fituesin. Ajo u dërgon pakicave, votuesve të opozitës dhe grupeve të margjinalizuara një mesazh të qartë: ky shtet nuk është i juaji. Eshtë i atyre që kanë votuar VV-në. Kjo qasje e rrezikshme nuk prodhon stabilitet. Prodhon frikë, pakënaqësi dhe, në fund dhe pashmangshëm, prodhon përçarje mes qytetarëve.
Një parti me 46% të ulëseve në Kuvend nuk ka mandat për të zotëruar dhe përvetësuar shtetin. Ka mandat për të udhëhequr negociata, për të ndërtuar koalicione dhe për të qeverisur me përulësi.
Pushteti i ndarë me të tjerët është vlerë në demokraci. Këtë e kuptoi shumë mirë ati themelues i Republikës së Kosovës, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova i cili edhe kur fitonte 90% të votave partiake dhe mbi 700.000 vota individuale, i ftonte votuesit të votojnë edhe për partitë e tjera. Dhe më e rëndësishmja, i ftonte partitë e tjera në bashkë-qeverisje, ani çka që nuk i duhej vota e tyre në Kuvend. Mësimi i mësuar është që pushteti i grumbulluar te një individ dhe një parti është vetë funerali i demokracisë. Prandaj, vullneti i popullit asnjëherë nuk është pronë e atij që bërtet më fort se të tjerët.






