Rritja e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, e lidhur me tensionet ushtarake rreth Iranit, po ushtron presion të fortë mbi ekonomitë e rajonit. Ndërsa vendet e Ballkanit kanë ndërmarrë masa të drejtpërdrejta për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur konsumatorët, në Shqipëri qeveria ka zgjedhur një qasje më pasive, duke u kufizuar kryesisht në monitorimin e tregut.
Në nivel ndërkombëtar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka vendosur lirimin e rreth 400 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike globale, një ndërhyrje e pazakontë për të ulur presionin mbi çmimet. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka deklaruar se deri më tani nuk ka rrezik të menjëhershëm për furnizimin me energji në Bashkimin Evropian, por paralajmëron se paqëndrueshmëria në tregje mund të vazhdojë.
Ballkani ndërhyn me masa konkrete
Përballë rritjes së çmimeve të karburanteve, shumica e vendeve të rajonit kanë zgjedhur të ndërhyjnë drejtpërdrejt në treg. Qeveritë kanë përdorur kryesisht tre mekanizma: kufizime administrative për çmimet dhe fitimet, masa fiskale për të zbutur rritjen e kostove dhe kontrolle më të rrepta ndaj operatorëve të tregut.
Në Greqi autoritetet kanë vendosur kufizime për marzhet e fitimit në tregun e hidrokarbureve. Qeveria ka përcaktuar një marzh maksimal prej 5 cent për litër në tregtinë me shumicë dhe 12 cent për litër në pikat e karburanteve për benzinën dhe naftën. Masa do të jetë në fuqi deri në fund të qershorit dhe shoqërohet me gjoba të rënda për shkelësit.
Edhe Turqia ka ndërhyrë për të frenuar rritjen e çmimeve, duke riaktivizuar mekanizmin fiskal që ul taksat mbi karburantet për të përthithur një pjesë të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Përveç kësaj, autoritetet kanë njoftuar edhe lirimin e rezervave strategjike të naftës për të stabilizuar furnizimin.
Në Kroaci qeveria ka vendosur tavan për çmimet e karburanteve, duke kufizuar benzinën në 1.50 euro për litër dhe naftën në 1.55 euro për litër. Masa është përdorur edhe gjatë krizës energjetike të viteve të fundit dhe synon të frenojë menjëherë rritjen e çmimeve në tregun vendas.
Edhe Serbi vazhdon të mbajë një kontroll të fortë mbi tregun e karburanteve, duke vendosur çmime maksimale me pakicë dhe duke ndaluar përkohësisht eksportet e produkteve të naftës për të mbrojtur tregun e brendshëm nga mungesat.
Në Kosovë qeveria ka vendosur kufizime për fitimet në tregun e hidrokarbureve, duke përcaktuar një marzh maksimal prej 0.02 euro për litër në tregtinë me shumicë dhe 0.12 euro në shitjen me pakicë.
Ndërkohë në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdojnë të zbatohen kufizimet mbi marzhet e fitimit të kompanive të karburanteve, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe uljen e akcizave për të zbutur presionin mbi konsumatorët.
Shqipëria pa masa direkte
Ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, në Shqipëri nuk është vendosur asnjë kufizim administrativ mbi çmimet e karburanteve. Qeveria ka zgjedhur të krijojë vetëm një grup pune për monitorimin e tregut të hidrokarbureve, ku përfshihen autoritetet tatimore dhe doganore.
Ky grup do të ndjekë zhvillimet në treg deri në mesin e vitit 2026, duke monitoruar çmimet, sasitë dhe sjelljen tregtare të operatorëve.
Kjo qasje është kritikuar nga opozita, e cila kërkon një mekanizëm ligjor që do ta detyronte qeverinë të ndërhynte automatikisht në raste krizash energjetike ndërkombëtare.
Frika për një valë të re inflacioni
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e çmimeve të energjisë mund të përkthehet shpejt në një valë të re inflacioni në ekonomitë e rajonit. Për këtë arsye, shumë qeveri kanë zgjedhur të reagojnë menjëherë për të frenuar efektin domino që mund të prekë transportin, ushqimet dhe shërbimet.
Nëse tensionet ndërkombëtare vazhdojnë, sfida për vendet e Ballkanit nuk do të jetë vetëm stabilizimi i çmimeve të karburanteve, por edhe mbrojtja e ekonomisë nga një krizë më e gjerë e kostos së jetesës.






