Krahasimi me vendet e rajonit
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se disa kategori bazike të shpenzimeve po rriten me ritme dyfish më të larta se inflacioni i përgjithshëm. Në korrik 2025, çmimet e qirave, kafesë dhe shtresave të dyshemesë janë rritur me 5.4–7%, ndërkohë që inflacioni mesatar ishte vetëm 2.5%. Kjo e bën Shqipërinë më të shtrenjtë jo vetëm për qytetarët vendas, por edhe në krahasim me fqinjët e rajonit.
Qiratë në Tiranë, më të shtrenjtat në Ballkanin Perëndimor
Qiratë për banesa kanë ndjekur një trajektore të pandalshme rritjeje që prej vitit 2021. Vetëm në periudhën janar 2023 – korrik 2025, ato janë shtrenjtuar mesatarisht me 3–5% çdo vit. Në korrik 2025, ndryshimi vjetor i çmimeve të qirave ishte 5.4%, nga vetëm 0.9% në shkurt.
Në kryeqytet, sipas agjencive imobiliare:
- Një apartament 1+1 kushton 330–400 € në Fresk dhe deri në 800 € në ish-Bllok.
- Një 2+1 varion nga 550 € deri në 1 300 € pranë Stadiumit “Air Albania”.
Në rajon, çmimet janë dukshëm më të ulëta:
- Beogradi: qira për një 1+1 jashtë qendrës varion 250–350 €.
- Prishtina: 1+1 mesatarisht 250–300 €.
- Shkupi: 280–350 €.
Pra, Tirana po i afrohet niveleve të qyteteve si Athina apo Podgorica, duke e bërë jetesën më të vështirë për familjet shqiptare, ndërkohë që të ardhurat mbeten më të ulëta se në vendet fqinjë.
Kafja një luks i përditshëm
Çmimi i kafesë në korrik 2025 u rrit me 6% krahasuar me një vit më parë. Importet më të shtrenjta dhe rritja e kostove të pagave kanë shtyrë çmimet lart, edhe pse frekuentimi i kafeneve nuk ka rënë. Për shqiptarët me të ardhura të ulëta, një filxhan kafe në mëngjes është kthyer nga zakon i përditshëm në luks.
Në krahasim rajonal:
- Tiranë: një kafe kushton mesatarisht 1.5–2 €.
- Beograd: 1–1.5 €.
- Prishtinë: rreth 1 €.
- Shkup: 1–1.2 €.
Pra, edhe pse Shqipëria ka paga më të ulëta, çmimi i kafesë është ndër më të lartët në rajon.
Produkte të tjera
Edhe mbulesat e dyshemesë kanë shënuar rritje të shpejta. Në korrik 2024 çmimet e tyre u rritën mesatarisht me 6.7%, nga vetëm 2.9% një vit më parë.
Ndërsa inflacioni i përgjithshëm ka rënë nga kulmi i vitit 2022, çmimet nuk po kthehen në nivelet e dikurshme. Ato kanë mbetur të ngrira në lartësi, duke krijuar një barrë të përhershme mbi konsumatorët.
Shqiptarët sot paguajnë më shtrenjtë për qiratë dhe për një filxhan kafe se qytetarët e Prishtinës, Shkupit apo Beogradit, një paradoks i madh në një vend ku të ardhurat janë dukshëm më të ulëta.
Ky kontrast e kthen Shqipërinë në një “treg të shtrenjtë me paga të lira”, ku kostot e përditshme afrohen me standardet e rajonit, por të ardhurat mbeten në fund të listës.





