Sallës 3 milionë euro i vihet “kyçi” pa arsye
Rreth vitit 2009, Shqipëria shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e mjekësisë: u krye transplanti i parë i veshkës tek një paciente 19-vjeçare, e cila mori organin nga i ati. Ngjarja u konsiderua një arritje e madhe për mjekët e Urologjisë dhe Nefrologjisë në QSUT, të drejtuar atëherë nga prof. Mustafa Xhani dhe prof. Nestor Thereska.
Ky hap i parë u ndërtua mbi një projekt të nisur në vitin 2006, financuar nga programi italian “Interreg”, me vlerë rreth 3 milionë euro. Me atë fond u ngrit një sallë moderne operacioni, u pajis shërbimi me teknologjinë më të avancuar të kohës dhe një grup mjekësh shqiptarë u dërgua për specializim në Itali. Edhe ndërhyrja e parë u krye me asistencën e profesorëve italianë të njohur. Premtimi zyrtar në atë periudhë ishte realizimi i rreth 20 transplanteve në vit, ndërkohë që lista e pritjes arrinte në 500 pacientë.
Megjithatë, kjo pritshmëri nuk u përmbush kurrë. Pas vetëm pak transplantesh, dy ose tre të tillë, sipas të dhënave, salla e posaçme në QSUT u mbyll dhe programi praktikisht u ndalua. Ndërkohë, ndërhyrjet vazhduan të kryheshin, por tashmë jo në spitalin publik. Procedurat u zhvendosën në dy spitale private të kontrolluara nga biznesmeni Klodian Allajbeu, i cili prej vitesh përfiton shuma të mëdha nga pagesat e shtetit për shërbimet shëndetësore.
Sipas burimeve të Top Channel, një transplant i veshkës në këto spitale kushton 20–21 mijë euro. Vetëm gjatë vitit 2024, raportohen 14 transplante të kryera: shtatë në spitalin Hygeia dhe shtatë në spitalin Amerikan. Ky volum i sjell rreth 280 mijë euro përfitime të drejtpërdrejta tek një subjekt i vetëm privat.
Në QSUT, ndërkohë, salla e ndërtuar posaçërisht për transplante qëndron jashtë funksionit prej vitesh, pavarësisht investimit të madh. Top Channel i është drejtuar zyrtarisht drejtuesve të QSUT për të pyetur pse ndërhyrjet nuk kryhen më në shërbimin publik. Burime të afërta me institucionin thonë se shefi aktual i Urologjisë nuk i merr përsipër transplantet, duke argumentuar se ekipi i ri nuk ka trajnim të mjaftueshëm, pasi specialistët që e realizuan dikur tashmë janë në pension.
Por shumë kirurgë me përvojë ngrenë pikëpyetje serioze mbi këtë arsyetim. Ata theksojnë se transplanti i veshkës nuk është një procedurë e komplikuar për ekipet e specializuara dhe se me vullnet dhe organizim, programi mund të rinise pa vështirësi. Madje, sipas tyre, janë bërë disa tentativa për ta rikthyer, por procesi është ndalur pa arsye të qarta.
Ndërkohë, buxheti i shtetit vijon të derdhë miliona në spitalet private të Klodian Allajbeut, teksa infrastruktura publike, e paguar prej taksapaguesve, qëndron e mbyllur dhe e pashfrytëzuar.






