Biznesmeni dhe politikani shqiptar Behgjet Pacolli ka deklaruar se është tërhequr përfundimisht nga projekti i Aeroportit të Vlorës, duke theksuar se ai nuk është më në pronësinë e tij, pavarësisht investimit të konsiderueshëm financiar që ka bërë.
Në një reagim publik, Pacolli shpjegon se ndërtimi i aeroportit është realizuar tërësisht me fondet e tij, duke përfshirë mbi 310 milionë euro investime dhe garanci financiare. Megjithatë, ai thekson se nuk është i gatshëm të përballet me shtetin në një betejë që, sipas tij, është e pabarabartë.
“Aeroportin le ta marrin. Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti ka fuqinë e tij dhe mund ta përdorë sipas dëshirës, por mënyra se si po veprohet është e papranueshme për një vend që pretendon të funksionojë mbi bazën e ligjit,” është shprehur ai, duke lënë të kuptohet se përplasja ka prapavijë më të thellë.
Reagimi i tij vjen pas tensioneve të ditëve të fundit në kantierin e aeroportit, ku forcat e policisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë së tij të hyjnë në ambientet e punës. Sipas Pacollit, kjo situatë ka favorizuar palën tjetër aksionere, me të cilën ai ndodhet në konflikt.
Sa i përket aspektit financiar, ai siguron se të gjitha detyrimet ndaj nënkontraktorëve janë shlyer ose do të përmbushen plotësisht. Ndërkohë, për punonjësit dhe ekspertët e përfshirë në projekt, ai shprehet se do të kërkojë mundësi për t’i angazhuar në projekte të tjera jashtë vendit.
Pacolli ngre gjithashtu shqetësime për trajtimin e stafit në kantier, duke theksuar se përveç pasojave ekonomike, është prekur edhe dinjiteti i tyre. Sipas tij, ndërhyrja ka lënë pas pajisje pune, materiale dhe sende personale brenda ambienteve, ndërsa ndikimi më i madh është ai moral.
Ai nënvizon se dëmtimi i besimit ndaj institucioneve dhe perceptimi negativ për klimën e investimeve në Shqipëri janë pasoja që nuk riparohen lehtë, duke shtuar se do të vazhdojë të mbrojë interesin e punëtorëve dhe parimin e shtetit ligjor.
Në fund, Pacolli thekson se pjesët e projektit që i ishin ngarkuar kompanisë së tij për përfundim janë realizuar, ndërsa punimet përfundimtare, përfshirë sistemimin e zonave përreth, janë kryer prej muajsh, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.
Reagimi i plotë:
Një gazetar autoritativ nga Shqipëria më telefonoi sot, këtu në Astana, dhe më pyeti:
“Zoti Pacolli, çfarë do të bëni tani, pasi aeroportin jua morën me Policinë e Shtetit?”
Përgjigjja ime ishte e qartë:
Objektet të cilat MIE, më 24 gusht, i kishte ndarë nga tërësia e projektit dhe i kishte përcaktuar për t’u përfunduar nga MABCO, janë faktikisht të përfunduara. Që nga marsi i këtij viti, në pritje të përmbushjes së detyrimeve nga VIA, ne kemi pastruar objektet, kemi kryer punimet përfundimtare dhe kemi rregulluar edhe gjelbërimin përreth.
Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s.
Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor. Çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, koha do ta tregojë. Pa merak.
“Çfarë do të ndodhë me njerëzit që tani kanë mbetur pa punë dhe a do të paguhen nënkontraktorët?”
Iu përgjigja se ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore.
Por për këta njerëz, përveç anës financiare, ekziston edhe një problem shumë më i madh: ai njerëzor dhe moral. Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale, materialet e punës në magazina dhe shumëçka tjetër.
Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës — i atyre që në këtë projekt kanë dhënë mundin, djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre.
Pikërisht këtu qëndron padrejtësia më e madhe. Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë.
Unë, për aq sa është e mundur, do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit — jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë.