Denoncimi i Balliut, deputeti hedh akuza të forta për KAYO-n dhe Ardi Veliun

Deputeti i PD, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përfshirje në një skemë korruptive që, sipas tij, synon t’u marrë pronat qytetarëve.

Në deklaratën e tij, Balliu i referohet konkretisht një rasti në zonën e Babrru Kodër, ku pretendon se prona e familjes Dervishi është vënë në shënjestër. Ai thekson se në këtë çështje është e përfshirë edhe kompania “KAYO”, të cilën e lidh me Ardi Veliu, duke e cilësuar situatën si një tjetër shembull të përdorimit të pushtetit për interesa private.

Sipas deputetit demokrat, kjo çështje do të ngrihet për diskutim në seancën parlamentare të së enjtes, ku opozita pritet të kërkojë sqarime të detajuara dhe përgjegjësi institucionale për akuzat e ngritura. Ai e konsideron rastin si një shkelje serioze të të drejtave të pronës dhe si një tregues të funksionimit të institucioneve në favor të interesave të ngushta politike dhe ekonomike.

“Rama dhe Lubia, në bashkëpunim me kompaninë KAYO të Veliut, po grabisin pronat e qytetarëve për interesa korruptive.

Këtë çështje do ta diskutojmë të enjten në parlament,” thekson Balliu.