‘Lokomotiva’ e korrupsionit vazhdon përpara
Edi Rama nuk i lë asgjë rastësisë. Kur kryeministri del publikisht përkrah një politikani të rrethuar nga hetime, siç është Erion Veliaj, kjo është një deklaratë e qartë force dhe sfidë e hapur për SPAK-un. Me fjalët e tij të sotme – ku e quajti Bashkinë e Tiranës “lokomotivën që ecën përpara në të gjitha drejtimet” – Rama nuk po fliste për punët publike të Veliajt. Ai po i jepte mesazh SPAK-ut: “Ju bëni sikur hetoni, unë e mbështes hapur.”
Kjo dalje e Ramës përkrah Veliajt vjen në një moment kritik. SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Deri tani, janë sekuestruar celularët, janë kontrolluar banesat e familjarëve dhe janë marrë në pyetje persona kyç. Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Veliaj po rikthehet fuqishëm në skenën politike, me mbështetjen e plotë të kryeministrit.
Nga izolimi te rikthimi në krah të Ramës
Prej muajsh, Veliaj dukej se ishte lënë në hije. Në takimet e rëndësishme të qeverisë, ai kishte një rol dytësor, ndërsa Rama mbështeste hapur njerëz si Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Erion Braçe. Madje, në disa momente, dukej sikur kryeministri po përgatitej ta sakrifikonte Veliajn, duke i dhënë SPAK-ut një “kokë turku” për të qetësuar ndërkombëtarët.
Por ajo që ndodhi sot tregon të kundërtën. Rama nuk ka ndërmend ta lërë Veliajn në mëshirën e fatit. Përkundrazi, ai po e fuqizon atë politikisht dhe publikisht, duke sinjalizuar se bashkë me të do të mbrojë të gjithë skemat korruptive që ai ka ndërtuar.
A është “lokomotiva” e Ramës një tren drejt SPAK-ut?
Le ta pranojmë: Bashkia e Tiranës nuk është një lokomotivë për zhvillimin. Ajo është lokomotiva e aferave më të mëdha korruptive të dekadës së fundit. Nga skandali 5D e deri te inceneratorët, nga tenderat klientelistë te betonizimi kriminal i qytetit, Veliaj është njeriu që ka vënë firmën mbi gjithçka. Dhe pesë nga drejtuesit e tij tashmë janë pas hekurave.
Pyetja nuk është më nëse Veliaj do të hetohet. Pyetja është nëse SPAK ka guximin ta çojë deri në fund këtë çështje, apo do të dorëzohet para shantazhit politik të Ramës. Sepse sot kryeministri nuk i doli krah Veliajt për të mbështetur punën e tij – ai i doli krah për t’i treguar SPAK-ut se nuk do ta lërë vetëm.
Nëse SPAK e merr këtë mesazh si sfidë dhe vepron me të njëjtin guxim që ka treguar me emra të tjerë, atëherë “lokomotiva” e Veliajt nuk do të ndalet në asnjë stacion tjetër përveçse te dera e GJKKO-së.
Por nëse drejtësia do të mbyllë sytë, atëherë do të jetë e qartë për të gjithë: Rama nuk po e sfidon vetëm SPAK-un. Ai po sfidon vetë idenë e drejtësisë.






