Kryeministri Edi Rama është shfaqur në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, ku pas diskutimit për çmimet e naftës, në pjesën e dytë kishte të ftuara katër vajza nga Kina — dy përfaqësuese të ambasadës kineze në Shqipëri dhe dy studente.

Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë ngritur shqetësime për ndikimin në rritje të Pekinit në rajon, Rama zgjodhi të theksojë publikisht atë që e cilësoi si “miqësi të veçantë” mes Shqipërisë dhe Kinës, duke dhënë sinjale për një qasje më të hapur ndaj bashkëpunimit me këtë vend.

I pyetur nga njëra prej të ftuarave, ai u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve dikur kanë qenë shumë të afërta, ndërsa sot janë miqësore. Rama vlerësoi progresin teknologjik të Kinës dhe u shpreh i gatshëm për më shumë shkëmbime në arsim dhe turizëm. Ai bëri të ditur se është i angazhuar në përkthimin e një libri nga kinezishtja dhe se autorja do të ftohet në Tiranë, ndërsa shtoi se gjuha kineze po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në nivel global.

Gjatë bisedës, kreu i qeverisë solli edhe një episod nga vizitat e tij në Shanghai, duke rrëfyer:

“Unë mbaj mend kur kemi shkuar shumë vite më parë, kur isha kryetar i bashkisë së Tiranës, edhe vajtëm edhe ishim për darkë në bashkinë e Shanghai dhe ishte kryetari i bashkisë së Shanghai dhe ai u çua dhe filloi të këndonte shqip.

Dhe ne të gjithë ngelëm, thamë ‘si ka mundësi’. Dhe të gjithë ata që ishin më në moshë si ai, filluan ta shoqëronin me këngë në shqip. Ai këndoi një këngë ‘ndër ara, fabrika, kantiere’”, tha Rama, duke iu referuar një kënge të njohur të periudhës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Në vijim, ai vlerësoi edhe nivelin e gjuhës shqipe të përfaqësuesve kinezë, duke deklaruar:

“Vajzat vijnë nga një vend që është në rrugën e një progresi marramendës. Por, pavarësisht se janë që të katërta nga Republika Popullore e Kinës, kanë emra shqiptarë. Jam këtu sot me Lirën, Adrianën, Meritën dhe me Etlevën. Sepse studentët kinezë që janë të projektuar për t’u angazhuar për marrëdhëniet me Shqipërinë, kanë emra shqip.

Ftesa për të pasur këto vajza kineze, erdhi pasi më ka ndodhur që kur lexoj letrat që dërgon ambasada e Kinës, që mund të jenë letra zyrtare që vijnë të përkthyera apo direkt, janë perfekte se si shkruhet shqip. I jam qepur letrave për të gjetur ndonjë gabim ortografik, por nuk kam gjetur asnjë deri më tani. Sikur ne të flisnim kinezçe siç flasin këto shqip, do ishte shumë mirë…”, u shpreh Rama.

Deklaratat e tij, të shoqëruara me tone vlerësuese për Kinën dhe hapje për bashkëpunim, vijnë në një moment delikat në raportet ndërkombëtare, duke u interpretuar si një qëndrim që mund të perceptohet si shpërfillës ndaj paralajmërimeve të aleatëve perëndimorë.