Vendimi i qeverisë që legalizon tjetërsimin e gjelbërimit në jug
Më 28 gusht 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama dhe me firmat e 9 ministrave, miratoi Vendimin Nr. 1, i cili i hap rrugë ndërtimit të resorteve dhe strukturave turistike mbi pasuri të regjistruara si “ullishte” dhe “pemëtore”.
Ky vendim, i marrë mes pushimeve verore dhe larg vëmendjes publike, shihet si një akt që thjeshton procedurat ligjore deri në minimum dhe që në praktikë legalizon tjetërsimin e pasurive bujqësore në favor të ndërtuesve.
Zonat që preken: nga Vlora në Sarandë
Vendimi prek të gjithë bregdetin jugor:
- Vlora, Radhima, Orikumi – zona të mbushura me ullinj buzë detit;
- Palasa, Dhërmi, Vuno, Himarë – plantacione tradicionale ulliri të rrezikuara nga ndërtimet;
- Qeparo, Borsh, Lukovë – hapësira të mëdha pemëtoresh që tashmë janë në shënjestrën e projekteve turistike;
- deri në Sarandë, ku zhvilluesit kanë kohë që shfaqin interes për resortet.
Nëse deri dje marrja e lejeve për ndërtim në këto pasuri ishte thuajse e pamundur, me vendimin e ri, procedura thjeshtohet në nivel deklaratash dhe procesverbalesh të topografëve dhe agronomëve.
Çfarë parashikon vendimi?
Në dokument theksohet se:
- Për pasuri të regjistruara si “pemëtore” apo “ullishte”, mjafton një procesverbal i gjendjes faktike që vërteton mungesën e pemëve.
- Procesverbali nënshkruhet nga topografi (që konfirmon përputhjen e pasurisë me dokumentin e pronësisë) dhe agronomi (që deklaron nëse ka apo jo drufrutorë).
- Pronari i tokës dhe zhvilluesi japin një deklaratë noteriale për vërtetësinë e dokumentacionit.
- Për sipërfaqe deri në 0.1 ha, verifikimi kryhet brenda 5 ditëve nga agronomi i njësisë vendore.
- Për sipërfaqe më të mëdha, duhen dy agronomë: një nga njësia vendore dhe një nga Ministria e Bujqësisë.
- Pas këtij hapi, Sekretariati Teknik i KKTU vijon me procedurat për dhënien e lejes së zhvillimit ose ndërtimit.
Pra, në praktikë, një firmë topografi + një agronom mjaftojnë për të hapur rrugën e një resorti mbi një ullishte.
Tjetërsimi i natyrës nën emrin e “zhvillimit”
Ky vendim vjen në një kohë kur ndërtuesit kanë përdorur më parë skema të ngjashme për të pastruar terrenet:
- Djegia e zonave të gjelbëruara për të zhdukur ullinjtë dhe pyjet;
- Prerja e pemëve nga banorë vendas, shpesh me stimuj financiarë;
- më pas, paraqitja e dokumenteve “zyrtare” që vërtetojnë se pasuria nuk ka më gjelbërim.
Kjo ka ndodhur më parë në Gjirin e Lalzit, Farkë dhe Kodrën e Diellit në Tiranë, ku ullinjtë u prenë për t’u hapur rrugë kullave dhe komplekseve.
Një tjetër “amnisti ndërtimi” për oligarkët
Vendimi i 28 gushtit 2025, i nënshkruar nga Rama dhe 9 ministra, nuk është një akt burokratik i zakonshëm. Ai shihet si një amnisti e heshtur për oligarkët e ndërtimit, që tashmë kanë në shënjestër bregdetin jugor.
Në vend që të mbrojë trashëgiminë bujqësore dhe natyrore – ullishtet shekullore dhe pemëtoret që janë pjesë e identitetit kulturor – qeveria ka zgjedhur t’i legalizojë prerjet dhe betonizimin, duke i kthyer në “resorte” ato që deri dje ishin pasuri bujqësore.






