Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një analizë të gjerë zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, pas përplasjes mes qeverisë dhe organeve të drejtësisë lidhur me kërkesën për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Artikulli hapet me përshkrimin e protestës së fundit të opozitës përpara kryeministrisë në Tiranë, ku situata u tensionua me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Sipas raportimit, thirrjet kundër qeverisë dhe akuzat për korrupsion u shoqëruan me përdorimin e molotovëve nga protestuesit dhe ndërhyrjen e forcave të rendit me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Sipas analizës së Reuters, tensionet politike janë përshkallëzuar që nga momenti kur SPAK ngriti akuza ndaj Ballukut në dhjetor, duke e dyshuar për ndërhyrje në procedurat e dhënies së dy kontratave infrastrukturore në vitin 2021 me vlerë mbi 200 milionë euro. Ajo i ka mohuar akuzat, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka qëndruar në krah, duke e konsideruar një bashkëpunëtore të rëndësishme politike.
Reuters thekson se çështja rrezikon të ndikojë në procesin e integrimit evropian të vendit, pasi akuzat për korrupsion dhe përplasjet institucionale shihen si faktorë që mund të ngadalësojnë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian. Protestat e vazhdueshme dhe përfshirja e një prej figurave më të afërta të Ramës e bëjnë situatën politike më të ndërlikuar për qeverinë, e cila synon integrimin në BE deri në vitin 2030.
Në reagimin për Reuters, zyra e kryeministrit ka mbrojtur qëndrimin e qeverisë dhe ka theksuar se Shqipëria meriton anëtarësimin në BE, duke nënvizuar angazhimin për luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka apeluar për shmangien e retorikës që cenon besimin te drejtësia, duke theksuar se lufta efektive kundër korrupsionit mbetet kyçe për përparimin e vendit në procesin e integrimit.
Raporti rikujton gjithashtu historinë e izolimit të gjatë të Shqipërisë gjatë regjimit komunist, periudhën e tranzicionit të shoqëruar me korrupsion dhe reformat në drejtësi pas vitit 2016, që çuan në krijimin e SPAK dhe hapjen e negociatave me BE-në në vitin 2022. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike dhe hetimet ndaj figurave të larta të qeverisë pritet të mbeten në vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë.






