Korrupsioni dhe krimi në nivelet më të larta po bllokojnë Shqipërinë
Rezoluta e IDU: Integrimi në BE i marrë peng nga qeveria, korrupsioni dhe krimi në nivelet më të larta po bllokojnë Shqipërinë
Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (International Democracy Union – IDU) ka miratuar rezolutën e 8-të për Shqipërinë, duke thelluar shqetësimet mbi zhvillimet demokratike, proceset zgjedhore, funksionimin e shtetit të së drejtës në vend dhe ecurinë e procesit të integrimit europian.
Dokumenti i referohet vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare, duke e klasifikuar Shqipërinë si “autokraci elektorale” dhe duke theksuar përkeqësimin e perceptimit për korrupsionin. Sipas rezolutës, korrupsioni sistemik dhe mungesa e llogaridhënies në nivelet e larta të qeverisjes përbëjnë pengesë serioze për avancimin drejt Bashkimit Europian.
IDU vlerëson se procesi i integrimit është ngadalësuar ndjeshëm, për shkak të kapjes së shtetit, ndërhyrje politike në institucionet e drejtësisë dhe lidhje të dyshuara mes zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. Po ashtu, ngrihet shqetësimi për mungesën e ndjekjes efektive penale ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe për abuzimet në prokurimet publike.
Në aspektin e sigurisë, rezoluta paralajmëron për rritjen e ekspozimit të vendit ndaj ndikimeve të jashtme, veçanërisht nga aktorë si Rusia dhe Kina, si dhe për rreziqet që lidhen me ndërhyrjet hibride, kërcënimet kibernetike dhe cenimin e sistemeve shtetërore.
Sa i përket zgjedhjeve, dokumenti konstaton se proceset elektorale nuk kanë përmbushur standardet ndërkombëtare, duke evidentuar keqpërdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj votuesve dhe përfshirjen e elementëve kriminalë. Në këtë kuadër, bëhet thirrje për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Rezoluta ndalet edhe tek sistemi i drejtësisë, ku evidentohen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin e çështjeve dhe problematika që lidhen me atë që cilësohet si drejtësi selektive dhe ndjekje penale me motive politike ndaj figurave të opozitës.
Në përmbyllje, IDU thekson se progresi drejt Bashkimit Europian mbetet i kushtëzuar nga garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pluralizmit politik, duke i bërë thirrje autoriteteve shqiptare të rikthejnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës institucionale.






