Autoriteti i Konkurrencës ka nisur prej disa javësh një hetim mbi tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, ndërsa procesi tashmë ndodhet në fazën përmbyllëse. Paralelisht me këtë zhvillim, abonentët e One Albania po përballen me një rritje të tarifave të shërbimeve.
Përdoruesit janë njoftuar përmes mesazheve standarde se, duke nisur nga 1 maji 2026, çmimet do të pësojnë një rritje deri në 2.2%. Sipas kompanisë, kjo lëvizje bazohet në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT. Megjithatë, nuk është bërë asnjë premtim për përmirësim të cilësisë së shërbimit, çka ka shtuar pakënaqësitë te abonentët.
Në këtë kontekst, vëmendja është përqendruar te roli i Autoritetit të Konkurrencës, i cili po shqyrton mënyrën e funksionimit të këtij tregu. Kreu i institucionit, Denar Biba, në një deklaratë për emisionin “Kjo Javë” theksoi se tregu i telefonisë celulare në Shqipëri nuk është monopol, por paraqet tipare të një tregu me konkurrencë të kufizuar.
Sipas Bibës, struktura e këtij tregu i afrohet një duopoli, çka nënkupton se një numër i vogël operatorësh kanë ndikim të madh në çmimet dhe kushtet e shërbimit, duke krijuar potencial për problematika në dëm të konsumatorëve.
Ai bëri të ditur se hetimi është drejt përfundimit dhe se brenda pak javësh pritet një vendim konkret. Pa dhënë detaje specifike, Biba la të kuptohet se ndërhyrja mund të sjellë zhvillime pozitive për konsumatorët në tregun e telefonisë celulare.
Vendimi përfundimtar i Autoritetit të Konkurrencës pritet me interes të lartë, sidomos në prag të hyrjes në fuqi të rritjes së tarifave më 1 maj, një afat i vendosur në mënyrë të njëanshme nga kompania. Nëse do të ketë ndërhyrje, ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në mbrojtjen e interesave të abonentëve.






