Shqipëria me ‘Diellën’ mbeten  jashtë financimeve

Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë me financime konkrete në rrjetin europian të infrastrukturës së inteligjencës artificiale, duke siguruar fonde direkte nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të IA dhe integrimin në ekosistemin e superkompjuterave të kontinentit.

Ndërkohë, Shqipëria – e cila ka promovuar së fundmi veten si një nga vendet e pakta me një ministre të Inteligjencës Artificiale, të pagëzuar me emrin “Diella” – nuk figuron mes vendeve që kanë përfituar financime në këtë fazë të programeve, sipas listës së publikuar nga Komisioni Europian.

Serbia: 3.8 milionë euro për SAIFA

Serbia përfiton rreth 3.8 milionë euro financim nga BE për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna), një platformë kombëtare për zhvillimin dhe testimin e inteligjencës artificiale.

Projekti do të krijojë një hub kombëtar që do t’u japë akses institucioneve publike, universiteteve, start-up-eve dhe industrisë në:

  • burime kompjuterike,
  • mjete IA,
  • databaza,
  • ekspertizë teknike.

SAIFA do të jetë pjesë e rrjetit europian të AI Factories dhe do të lidhet me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar zhvillim dhe testim zgjidhjesh IA në shkallë europiane, në sektorë si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe teknologjitë e gjuhës.

Maqedonia e Veriut: 6 milionë euro për “Vezilka”

Edhe Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, qendra kombëtare e inteligjencës artificiale, me vlerë rreth 6 milionë euro, e bashkëfinancuar nga BE përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC Joint Undertaking, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë.

Qendra do të funksionojë si nyje e lidhur me Pharos AI Factory në Greqi, duke i dhënë institucioneve publike, kompanive dhe start-up-eve akses në superkompjuterë dhe databaza europiane.

Sipas autoriteteve vendase, projekti synon integrimin e plotë të vendit në rrjetin europian të IA dhe krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm inovacioni teknologjik.

Çfarë janë “AI Factories” dhe “Antennas”?

Programi europian i AI Factories është pjesë e strategjisë së BE për ndërtimin e infrastrukturës industriale të inteligjencës artificiale. Qëllimi është bashkimi i:

  • superkompjuterëve,
  • qendrave të të dhënave,
  • universiteteve,
  • industrisë dhe start-up-eve,

për të krijuar ekosisteme të plota zhvillimi dhe për të rritur konkurrueshmërinë globale të Europës.

Paralelisht, koncepti i “AI Factory Antennas” parashikon qendra kombëtare ose rajonale që shërbejnë si pika lidhëse me fabrikat kryesore europiane të IA, duke u dhënë akses edhe vendeve që nuk kanë fizikisht një superkompjuter.

Në nivel europian:

  • mbi 2.6 miliardë euro janë angazhuar për rrjetin e parë të AI Factories dhe Antennas,
  • rreth 55 milionë euro janë investim direkt i BE për Antennas,
  • ndërsa investimet totale në superkompjuterë dhe IA për periudhën 2021–2027 pritet të arrijnë rreth 10 miliardë euro vetëm përmes EuroHPC.

Përtej kësaj, iniciativa InvestAI synon të mobilizojë deri në 200 miliardë euro investime publike dhe private në inteligjencën artificiale, përfshirë edhe rreth 20 miliardë euro për “gigafactories” të trajnimit të modeleve të mëdha IA.

Shqipëria: pjesë e rrjetit, por pa financim

Në qershor 2025, Shqipëria u bë zyrtarisht vendi i 36-të që i bashkohet EuroHPC Joint Undertaking, rrjetit më të fuqishëm të superkompjuterëve në Europë.

Megjithatë, në këtë fazë të financimeve për AI Factories dhe Antennas, vendi nuk rezulton përfitues i drejtpërdrejtë i fondeve për ndërtimin e një qendre kombëtare të IA.

Në një rajon ku Serbia dhe Maqedonia e Veriut po ndërtojnë struktura konkrete me fonde europiane për zhvillimin e inteligjencës artificiale, Shqipëria mbetet jashtë hartës së investimeve aktuale – pavarësisht retorikës ambicioze për transformim digjital dhe lidership në IA.

Pyetja që mbetet është: a do të arrijë Tirana të kapë valën e radhës të financimeve europiane, apo “Diella” do të mbetet më shumë simbol politik sesa infrastrukturë reale?